Elmaze Nura jep dorëheqje nga Teatri Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) njofton se Drejtorja e Përgjithshme e këtij institucioni, Elmaze Nura ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Këtë vendim, sipas njoftimit të TKK-së, Nura e ka marrë pas kushtëzimit nga rektorati i Universitetit të Prishtinës për t’u përcaktuar më së largu deri me 20 shtator për njërën punë, në TKK ose në UP, ku Drejtorja është Profesor-Asistent.
Profesoresha Nura ka falënderuar Këshillin Drejtues dhe stafin e TKK-së për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin e plotë.
“Puna në TKK ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe së bashku, në pak muaj, shënuam progres në përmirësimin e imazhit të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tij”, është shprehur ajo në letrën e dorëheqjes.
Nura është shprehur e bindur se TKK-ja do të ecë përpara drejt sukseseve të reja, si institucioni më i lartë kulturor në Republikën e Kosovës. /Zëri/