Ekzibicionet e Dimiqit
Gjilan – Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Gjilan Zyhdi Haziri tha se Vllastimir Dimiq ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës aprovimin e shkarkimit të tij me arsyetimin se është zgjedhur gjykatës në Republikën e Serbisë. Haziri ka garantuar qytetarët se veprimet e Dimiqit nuk do të sjellin dëme në sistemin gjyqësor në Kosovë.
Vllastimir Dimiq më në fund e ka braktisur Gjykatën e Qarkut në Gjilan për të vazhduar profesionin e tij në Serbi dhe për të shijuar pensionin atje. Dimiq tashmë ka sqaruar tërë historinë e tij në një letër zyrtare që i ka dërguar Zyhdi Hazirit kryetar i Gjykatës së Qarkut në Gjilan.
Haziri tha se letrën nga Dimiq e ka pranuar më 16 tetor ku edhe i është drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shkarkimin e tij nga funksioni i gjykatësit të Qarkut në Gjilan. Në letër Dimiq ka sqaruar detajet e tij rreth konkursit për gjyqtarë në Republikën e Serbisë, qysh në vitin 2009.
Ndryshe Vllastimir Dimiq është zgjedhur gjykatës i Qarkut në Gjilan më 6 korrik 2010 me dekret të kryetarit të Republikës së Kosovës. Po me gjasë Dimiq këtu del se ka tradhtuar profesionin e tij meqë në të njëjtën kohë ka konkurruar edhe për gjyqtarë në Republikën e Serbisë në vitin 2009.
Sipas letrës që e ka transmetuar Haziri , Dimiq ka konkurruar në vitin 2009 në gjykatat e Serbisë , por nuk është pranuar, s`ka pasur fat. Dimiq pastaj është ankuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në Serbi po e njëjta e ka refuzuar ankesën e tij. Pastaj Dimiq duke shfrytëzuar mjetet juridike ankohet në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë e cila më 24.07.2012 e aprovon ankesën e Dimiqit, që të jetë gjykatës në Serbi.
Dimiq zyrtarisht caktohet gjyqtarë në Serbi më 18.09.2012. Nga ky moment sipas Hazirit i njëjti ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që ta aprovojë shkarkimin e tij dhe të kryej detyrën e gjykatësit në Serbi.
Haziri tha se menjëherë ka ushtruar kompetencat e tij, duke ia marrë të gjitha lëndët Dimiqit dhe procedurat penale që janë duke u zhvilluar në lëndët e tij i ka ndërprerë.
Haziri tha se Dimiq ka qenë gjykatës i mirë dhe nuk ka kundërshtuar asnjëherë. “Besoj që veprimet e tij nuk do të sjellin dëm në sistemin gjyqësor në Gjilan, meqë me kohë janë sqaruar dhe stopuar të gjitha veprimet që lidhen me lëndët e tij”.
Dimiq sipas Hazirit nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e qytetarëve apo palëve . Mendohet se Dimiq ka 61 vjet dhe ndodhet para pensionit tha Haziri. /rajonipress/