Fundamenti

Ekzekutoi 45-vjeçarin, 10 vjet burg për Nazimen: Kërkoj mëshirë si fëmijë

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Nazime Vishën, me akuzën “Vrasje me paramendim”. Por, me gjykim të shkurtuar ajo do të kryejë 10 vjet burg, si autore e vrasjes së 45-vjeçarit Fiqiri Muça, më 13 gusht të 2012-ës.

Gjatë seancës së sotme, avokatja Vjollca Pustina kërkoi pafajësi për klienten e saj, teksa kërkoi vetëm 2 vite burg për ‘armëmbajtje pa leje’.

Vetë e akuzuara teksa ka pranuar krimin para trupës gjykuese kërkoi mëshirë : “E pranoj krimin, ju drejtohem edhe si fëmijë, kërkoj mëshirë.

Ngjarja

UBT

Më datë 13 gusht të vitit të kaluar, Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës. Sipas policisë, kjo e fundit ka pritur me të shtëna kallashi 45-vjeçarin, të cilin e akuzon se e ka përdhunuar dhe donte ta trafikonte. Ngjarja mori përmasa të mëdha mediatike, ndërkohë që tronditi mbarë opinionin e vendit.

Pak kohë pas ngjarjes, 18-vjeçarja ka pranuar para forcave të policisë se ajo ka qenë autorja e ekzekutimit të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i martuar dhe babai i pesë fëmijëve. Sipas përcaktimit të policisë, krimi ndodhi në datën 13 gusht, orën 00:50, në fshatin Qendër-Krrabë. Pak ditë pas ngjarjes, Nazime Visha ka pohuar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se nuk ishte penduar për krimin që kishte bërë, pasi sipas saj “më mirë të rrinte në burg, sesa të bënte jetën që bënte jashtë”.

Madje, 18-vjeçarja ka rrëfyer se 45-vjeçari i shkatërroi ëndrrat për jetën, duke i prishur edhe fejesën. “Nuk e vrava Fiqiriun se më përdhunonte, por se më ndau nga i fejuari. Unë kisha bërë gati edhe pajën, për t’u martuar në gusht”, ka rrëfyer 18-vjeçarja Nazime Visha pak ditë pas qëndrimit të saj në Burgun 313. (BW)