Ekzekutohet në mënyrë mafioze Viktor Skeja, atentatorët ikin në drejtim të paditur
Bie në pritë Viktor Skeja. Policia në vendin e ngjarjes mbledh gëzhojat e vdekjes dhe rreth dy orë pas atentatit bën me dije se atentatorët e tij janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë, tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë.
Këtë detaj policisë në vendin e ngjarjes ua kanë dhënë dëshmitarët okularë, ndërsa policia të vetmin detaj që mundi të publikonte në lidhje me krimin e rëndë ishte fakti që viktima ishte me precedentë kriminalë. Atentati ndodhi në një prej rrugëve më të njohura në Tiranë dhe në mes të ditës në orën 14.30, vendi i vrasjes; rruga ‘Riza Cerova’, rrugica që të nxjerr për pak metra tek lagjja që njihet si “Medreseja” ose “Farmacia 10”.
Atentatorët me makinën ngjyrë e zezë kanë mundur që të largohen të qetë ndërsa mbi Skejën është qëlluar me breshëri kallashnikovi, një mënyrë ekzekutimi kjo mjaft e guximshme, duke iu referuar vendit në të cilin është vrarë dhe orës. Policia qëndroi në vendin e ngjarjes, ndërsa post-blloqet rezultuan të pasuksesshme për të identifikuar mjetin e vrasësve, ku sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes ka qenë me targa të Kosovës.
Mbi 46-vjeçarin mësohet se janë lëshuar 10 plumba, tre prej të cilëve i kanë marrë jetën. Skeja ishte i njohur si kreu i CEZ në qytetin e Laçit, detyrë që nuk e ushtronte më prej shumë kohësh.
Ngjarja
Sipas informacioneve nga blutë e Tiranës, autorët dyshohet të kenë ndjekur itinerarin e lëvizjeve të Viktor Skejës dhe kanë pritur momentin kur ish-kreu i Cez-Shpërndarjes në Laç është futur në makinën e tij të parkuar në rrugën “Riza Cerova”. Dy persona mendohet të jenë përfshirë në këtë atentat, ku sipas policisë njëri ka qenë në drejtim të mjetit tip “Golf 3” me ngjyrë të zezë, ndërsa personi që dyshohet se ka kryer atentatit mendohet të ketë qenë i ulur prapa, në vendin e pasagjerit, ka ulur xhamin dhe ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj Skejës, i cili ndodhej i vetëm në makinë. Plumbat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 46-vjeçarit. Mësohet se Skeja është qëlluar me 10 plumba, një prej të cilëve e ka goditur në kokë dhe të tjerët në organet jetësore. Janë thyer jo vetëm xhamat e automjetit të Skejës, por dy nga plumbat kanë goditur dhe murin rrethues të një banese që ndodhej ngjitur me automjetin e parkuar. Trupi i pajetë i Skejës është nxjerrë nga makina rreth orës 16:30 dhe është transportuar me autoambulancën për t’u transportuar drejt morgut të kryeqytetit. Në vendngjarje ka mbërritur dhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa. Pak pas vrasjes në vendngjarje mbërritën dhe të afërm të Skejës. Ka qenë nipi dhe xhaxhai i Skejës, të cilët kanë pasur dhe një konfrontim me policinë, pasi kanë tentuar të hyjnë brenda rrethimit të vendit ku ndodhi krimi.
Policia dhe dyshimet
Dyshimet e bluve janë se krimi është kryer nga vrasës me pagesë. Sipas mekanizmit të ngjarjes makina me targa të Kosovës ka qenë në vëzhgim të çdo lëvizjeve të viktimës duke e mbikëqyrur. Vrasësit i kishin zënë pritë 46-vjeçarit dhe në momentin që ai ka tentuar të nxirrte makinën nga parkimi i janë afruar duke e qëlluar me breshëri. Ndonëse në mes të ditës, në një lagje shumë të populluar, e rrethuar nga lokale dhe dyqane, autorët kanë vepruar me gjak- ftohtësi, duke mos u trembur nga dëshmitarët okularë, e aq më pak nga policia që qëndron thuajse për gjatë gjithë kohës në patrullime dhe kontrolle për vendosjen e gjobave. Ata kanë mundur të largohen të qetë dhe të pa ndaluar askush, ndonëse të gjitha kahet e asaj rruge, ku ka ndodhur ngjarja të nxjerrin në rrugë kryesore dhe mjaft të rrahura edhe nga policia e të gjitha llojeve. Ndërsa automjeti është larguar me shpejtësi, dhe ende nuk janë gjetur gjurmë në vendngjarje që të çojnë në identifikimin e tyre, policia ka nisur kërkimin për kamera, nga ku shpresohet të jetë fiksuar ndonjë detaj nga mjeti i autorëve të atentatit. Nga sa deklarohet nga blutë që kanë qëndruar në vendin e krimit, dyshimet e para bien mbi atentatorë me pagesë të cilët kanë kryer ekzekutimin, ndërsa nga të afërmit e Skejës nuk është bërë me dije asnjë shqetësim për të cilin ata ishin në dijeni që kishte patur njeriu i tyre.
Policia, publikisht, ditën e djeshme bëri me dije se viktima ka qenë person me precedentë kriminalë dhe madje kjo është edhe pista ku janë fokusuar hetimet, ndonëse ndaj Skejës u ndërmor edhe një tjetër atentat në fillimshtatorin e vitit të kaluar. Por, atë ngjarje policia nuk arriti ta konkretizonte asnjëherë me shkak as dyshime, pasi u tha se ka dyshime që autori të kishte hyrë thjesht për të grabitur në kazino. Por, Viktor Skeja, atëherë mori një plumb në këmbë, por policia e Tiranës dhe as ajo e shtetit, nuk e ngarkuan të mbijetuarin e pritës së pazakontë, me asnjë lloj precedenti të mëparshëm kriminal.
Atentati në kazino
“ Ti je Viktor Skeja?” Ky ka qenë tentativa për të verifikuar nëse personi mbi të cilin do të qëllonte ishte ai, i duhuri. Në fakt, atentatori, një i ri, me skafandër në kokë, kishte pyetur për personin edhe në hyrje të kazinosë, brenda së cilës Skeja kishte rreth gjysmë ore që gjendej. Sapo Skeja ka konfirmuar për të panjohurin emrin e tij, i riu ka nxjerrë armën, tip pistoletë dhe e ka qëlluar me tek plumb në këmbë. Është nisur të dalë i qetë nga objekti i lojërave të fatit, ndërsa në rrugëtimin brenda kazinosë, ai kishte rrëmbyer edhe një dorë parash. Del nga kazinoja, i pacenuar nga askush, merr motorin e tij, një “Papaq” të vjetër dhe ikën në drejtim të paditur.
Policia me dëshmitarë jo të zakontë, por me forca sigurie të një prej kazinove më të njohura në vendin tonë, nuk arriti të hidhte dritë asnjëherë mbi atë krim, tejet i sofistikuar. Madje, aso kohe u tha se autori i plagosjes së Skejës kishte hyrë të grabiste para në kazino, por që në fakt ai kishte pyetur që tek dera rojet e sigurisë, të cilët i kishin treguar vendndodhjen e personit që i riu kërkonte. Pamjet e fiksuara nga kamerat e shumta të ambienteve të jashtme dhe të brendshme nuk nxorën asgjë për policinë, pamje të cilave, nëse do ta hetojnë atentatin e djeshëm, iu duhet t`ju rikthehen edhe njëherë. Atentatet ndaj laçianit kanë ngjarshmëri, jo vetëm për momentin kur jkanë kryer, mënyrën se si ajën kryer, por edhe për guximin që kanë marrë atentatorët në të dy herët për ta qëlluar; një herë në kazino, me roje dhe me dhjetëra kamera dhe tani në mes të lagjes, në mes të ditës dhe në mes të dhjetëra banorësh të lagjes së vjetër të Tiranës.


