RCCOLA

Ekzekutivi u ikë pyetjeve parlamentare

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Koha për pyetjet parlamentare në seancën e Kuvendit është pjesë e kontrollit parlamentar të Qeverisë, por ekzekutivi në masë të madhe i shmanget kësaj pike të rendit të ditës gjatë seancave plenare. Deputetët, sidomos ata opozitarë, ankohen për qasjen e kryeministrit karshi të drejtës së tyre për të shtruar pyetje parlamentare dhe për të marrë përgjigje nga kabineti qeveritar.

“Është hera e gjashtë që bëj pyetje për kryeministrin, është hera e parë që kryeministri është prezent në kohën e pyetjeve parlamentare. Pra pyetja ime është pse në përgjithësi, në vazhdimësi nuk po iu përgjigjeni pyetjeve parlamentare”.

Mundësinë për t’i bërë pyetje kryeministrit Isa Mustafa në kohën e pyetjeve parlamentare, deputeti Rexhep Selimi e pati në njërën nga seancat e fundit. E për herë të parë, siç tha ai, edhe mori përgjigje nga kryeministri për mungesën në seanca.

“Nuk e kam ndonjë arsye të veçantë që të evitojë ndonjë përgjigje të pyetjeve, sepse asnjë pyetje deri më tani e shtruar nga deputetët nuk ka qenë pyetje në të cilën nuk kemi mundur të japim përgjigje. Na pëlqejnë përgjigjet apo jo, është çështje tjetër. Por unë do të bëjë përpjekje për aq sa kam kohë dhe mundësi të jap përgjigje”, tha Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa dhe kabineti i tij qeveritar kritikohen shpesh, sidomos nga deputetët e opozitës për mungesë në kohën e pyetjeve parlamentare. Por, edhe atëherë kur është i pranishëm për të dhënë përgjigje, sipas deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, kryeministri më tepër flet me shpërfillje sesa që jep përgjigje konkrete.

Mobi Casa

“Nuk e ka treguar gatishmërinë që është i gatshëm të përgjigjet në pyetje dhe aq më tepër me një injorancë në përgjigjet e deputetëve dhe nuk thotë asgjë në përgjigjet që i jepet deputetit. Me të vërtetë është skandaloze edhe në përgjigjet sot që kishte kryeministri, ku me minuta të tërë e mori kohën dhe nuk tha asgjë në përgjigje”, thotë deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu për Radio Kosovën.

Mungesa e shpeshtë e Qeverisë në seancat e Kuvendit, është evidentuar edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Këtë qasje të Qeverisë karshi të drejtës së deputetëve për të marrë përgjigje në pyetjet parlamentare, deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, vlerëson si të papërgjegjshme.

“Vetë kryeministri Mustafa së bashku me gjithë kabinetin qeveritar janë ata që mungojnë në vazhdimësi në kohën e pyetjeve parlamentare. Kjo nuk po thuhet vetëm nga ne. Sot të paktën gjashtë pyetje iu adresuan kryeministrit Mustafa dhe i njëjti nuk ishte aty për të dhënë përgjigje. Kjo është qasje e padrejtë, është shumë joserioze dhe e papërgjegjshme”, tha Haxhiu.

Deputetët ankohen në kryeministrin Mustafa, që jo vetëm që nuk është prezent në seanca për t’u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, por ata thonë se nuk marrin as përgjigje me shkrim nga kryeministri, siç e përcakton Rregullorja e punës së Kuvendit.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës që monitoron punën e Kuvendit, ditë më parë ka prezantuar raportin shtatëmujor të punës së Kuvendit, ku mes tjerash thuhet se gjatë kësaj periudhe janë shtruar gjithsej 218 pyetje, prej tyre vetëm 106 kanë marrë përgjigje.