Ekzekutivi distancohet nga Pacolli

Qeveria e Kosovës është distancuar të premten nga kërcënimi, presioni dhe deklarimi denigrues i Behgjet Pacollit ndaj Agjencisë Kundër Korrupsion, i bërë në fillim të javës. Ekzekutivi e ka inkurajuar Agjencinë për ta kryer misionin ligjor.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka dhënë garanci se Antikorrupsioni do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë në punën që e bën.
“Unë nuk dua të hyj në çështje të raporteve që mund të jenë kualifikime personale, por ajo çka dua të them është se Agjencia si institucion e ka mbështetjen e plotë që punën ta bëjë në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme, sipas ligjit”, ka thënë Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë, raporton koha. “Natyrisht që në këtë drejtim e ka mbështetjen e plotë Agjencia. Ajo i ka kompetencat e veta ligjore dhe është duke i shfrytëzuar dhe do t’i shfrytëzojë”.
Dy ditë më parë Antikorrupsioni është deklaruar të jetë nën presionin e zëvendëskryeministrit Pacolli. Po kështu, zyrtarin e lartë qeveritar e ka pandehur edhe për përpjekje për t’ia prishur imazhin këtij institucioni të pavarur dhe të specializuar për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.