Ekspozitë e fotografive në Medvegjë

“Fotografia është dëshmia më e mirë për një jetë multietnike” titullohet ekspozita e fotografive e cila do të mbahet të premten me datën 15 mars të vitit 2013 në hollin e Shtëpisë së Kulturës në Medvegjë.
Ekspozita do të realizohet nga Organizata Kulturore Humanitare “Horizonti” nga Bujanoci, ndërsa financiarisht mbështetet nga Fondi për Shoqëri të Hapur. Në ekspozitë do të shfaqen rreth 100 fotografi të cilat kanë për qëllim të dëshmojnë jetën multietnike e cila aktualisht zhvillohet në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ekspozita është me karakter multietnik dhe i dedikohet të gjitha shtresave të popullsisë.
Sipas organizatorëve “ky është vetëm fillimi i projektit që do të jetë në vazhdimësi për kulturat e të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto tre komuna. Projekti aktual realizohet nga nxënës të shkollave të mesme të cilët njëkohësisht do t’i perfeksionojnë aftësitë e tyre për fotografinë./ medvegja.net/