KKVITI

Ekspozita World Press Photo për herë të parë në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Prishtina i është bashkuar shumë kryeqyteteve të botës duke sjellë ekspozitën e fotografisë World Press Photo 2013. Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fondacionit World Press Photo dhe me ndihmën e ambasadës së Holandës në Prishtinë dhe asaj të Kosovës në Amsterdam, në Muzeun e Kosovës u hap të mërkurën në mbrëmje ekspozita e fotografive të fotoreporterëve anë e mbanë botës të cilat janë përzgjedhur nga viti i kaluar.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, përfaqësues të Ambasadës së Holandës në Prishtinë, asaj të Kosovës në Amsterdam, përfaqësues të World Press Photo, Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, dhe artistë e qytetarë.

Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi tha se hapja e kësaj ekspozite për herë të parë në Kosovë përbën një ngjarje unike në gjithë kalendarin kulturor. Fotografia, tha ai, është shpesh një rrëfim më i mirë sesa vet fjalët për një histori të caktuar apo fate njerëzish. “Fjalia e famshme se ‘një fotografi flet më shumë se një mijë fjalë’, bëhet e vërtetë veçanërisht kur bëhet fjalë për fotografinë e gazetarisë”, tha ai.

“Kjo ekspozitë përveç që është një dokumentim i shumë ngjarjeve anekënd botës, është po ashtu një përmbledhje e fotografive që kanë vlera të mëdha artistike”.

Ministri Krasniqi tha se MKRS-ja është shumë e përkushtuar që të pasurojë kalendarin kulturor në Kosovë duke mbështetur aktivitete të shumta kulturore dhe padyshim edhe të tilla si kjo.
“Ne jemi shumë të gatshëm të mbështesim edhe promovimin e punës së shumë reporterëve tanë në Kosovë dhe jashtë vendit”, tha Krasniqi teksa shtoi se për Kosovën është nder që para 13 vitesh fotoreporteri Afrim Hajrullahu ka fituar çmim në këtë garë të madhe të fotografive.

RCCOLA

Ministri falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadën e Kosovës në Amsterdam dhe atë të Holandës në Kosovë dhe Fondacionin World Press Photo për bashkëpunimin në sjelljen e kësaj ekspozite në Prishtinë.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Holandës në Prishtinë, Carel Brands, tha se ndjehet i nderuar që World Press Photo e themeluar në Holandë para më shumë se 60 vjetësh vjen për herë të parë në Prishtinë. Ai ka përgëzuar të gjithë akterët që kanë punuar në hapjen e kësaj ekspozite duke e vlerësuar atë si një ngjarje tepër të rëndësishme për kulturën por në përgjithësi për gazetarinë. Brands tha se shpreson që kjo nuk do të jetë hera e fundit që World Press Photo hap ekspozitë në Prishtinë.

Nga ana tjetër, koordinatorja e ekspozitës World Press Photo, Famke van der Valk, tha se iniciativa për të sjellur këtë ekspozitë në Prishtinë nisi para dy vitesh dhe gjatë gjithë kësaj kohe është bërë një punë shumë e madhe. Për këtë, ajo tha, se është rezultat i një angazhimi të madh të të gjitha institucioneve që kanë punuar për këtë ekspozitë. “Mediet kanë përgjegjësi të madhe, jo vetëm në rastin se cilën fotografi do të publikojnë por edhe në atë se cilën nuk do ta publikojnë”, tha ajo duke shtuar se fotoreporterët rrezikojnë shumë dhe bëjnë punë të jashtëzakonshme për të sjellë para nesh imazhe nga momente të rëndësishme nëpër botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik 2013 në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /Indeksonline/