Ekspertiza e konstaton mendërisht të sëmurë Kadrie Dinollin

Gjilan- Ekspertiza mjeko ligjore ka konstatuar se Kadrie Dinolli është e sëmurë mentalisht meqë nuk i funksionon ¼ e trurit derisa për foshnjën ka konstatuar se ka pasur gjakderdhje në tru dhe se nuk është ngulfatur por është gjuajtur me forcë tha prokurori Arben Kadriu.
Zhvillime interesante ka sjellur ekspertiza mjeko ligjore në rastin e të akuzuarve Isak Azemi dhe Kadrie Dinolli të dy burrë e grua të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Në fakt seanca e paraparë që të mbahet të hënën është shtyrë për dhjetor për shkak të procedurave të ngatërruara mes Gjykatës dhe Burgut të Dubravës. Megjithatë prokuroria tashmë ka në dorë edhe ekspertizën e fundit e cila flet mbi gjendjen shëndetësore të dy të akuzuarve Azemi e Dinolli.
Dy bashkëshortët akuzohen se më 20 dhjetor 2011, rreth orës 19, në shtëpinë e tyre në fshatin Smirë, komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëveprim, e kanë privuar nga jeta fëmijën e tyre Agon Azemi, i moshës 8-muajsh.
Sipas aktakuzës, Isaku e ka ngulfatur foshnjën, derisa ndodhej në djep, duke e shtrënguar në fyt fuqishëm, për rreth 10 minuta. Më pas, nëna e foshnjës, Kadria e ka marrë vogëlushin dhe e ka përplasur për dysheme. Si pasojë e ngufatjes dhe e lëndimeve të marra, foshnja vdes.
Ekspertiza e fundit mjeko ligjore e kryer nga eksperti Flamur Blakaj ndërkaq ka konstatuar fakte të reja. Sipas prokurorit publik të Qarkut Arben Kadriu, ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se Kadrie Dinolli është e sëmurë mendërisht meqë nuk i funksionon ¼ e trurit dhe është e papërgjegjshme në veprimet e saja. Gjithashtu ekspertiza ka konstatuar se foshnja ka pasur gjakderdhje në tru dhe se nuk është ngulfatur , por është gjuajtur me forcë.
Isak Azemi në konfirmim të aktakuzës ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për këtë vepër. “Gruaja më ka thënë se fëmija nuk është i yti, dhe në ato momente e kam humbur vetëdijen dhe nuk kam ditë se çka po ndodh. Nuk është e vërtetë që unë e kam ngulfatur fëmijën tim, Agon Azemi ”.
Edhe e akuzuara Kadrie Dinolli, e ëma e fëmijës së vdekur, nuk e ka pranuar se e ka kryer veprën penale, duke shtuar se pas bisedës me kunatin e saj, ajo e ka mbuluar me çarçaf të bardhë fëmijën. “Djalin e ka ngulfatur qai që po fol”, u shpreh ajo, duke aluduar për bashkëshortin. “Unë asnjë veprim nuk e kam ndërmarrë për me mbytë fëmijën tim. Këtë e ka bërë bashkëshorti im. Fëmija nuk ka vdekur vetë”, i është drejtuar Kadria bashkëshortit të saj.
Seanca e radhës e këtij rasti është shtyrë për muajin dhjetor./rajonipress/