Hidromorava

Eksperti amerikan: Lidershipi që kemi nevojë ta shohim nga Kurti, akoma nuk është treguar

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

James Hooper, ish-diplomat amerikan dhe njohësi i politikave në Ballkan, ka bërë thirrje për një qasje të re në diplomacinë e Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, Hooper thotë se Kosova ka nevojë për një “proces diplomatik asimetrik”, duke shtuar se BE-ja dhe SHBA-ja janë partnerë kyçë në ristrukturimin e këtij procesi, çka është esenciale për të arritur objektivat e reja.
“Qëllimi i angazhimit diplomatik me Perëndimin duhet të bëhet anëtarësimi në NATO,” pohon Hooper, duke nënvizuar se ky duhet të jetë fokusi i Prishtinës, edhe pse thekson se duhet të arrihet “pajtueshmëria e SHBA-së dhe Perëndimit.”

Ai vë në shënjestër mungesën e lidershipit në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se “Lloji i lidershipit që kemi nevojë ta shohim nga kryeministri i Kosovës, akoma nuk është treguar.”

“Kurti nuk do ta ketë të lehtë të arrijë mbështetjen perëndimore për një dialog asimetrik. Ajo do të kërkojë që ai të tregojë lidership dhe përmbajtje në trajtimin e marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës me Serbinë. Vlen të përsëritet se, si lider i NATO-s, Shtetet e Bashkuara do të duhet të binden nga veprimet e Kosovës se Kurti ka nisur një politikë të re për të filluar ta trajtojë Serbinë si një fqinj – edhe pse jo si mik – dhe jo si armik të përhershëm të Kosova kërkon konfrontim të vazhdueshëm. NATO nuk dëshiron që të menaxhohet një problem tjetër Greqi-Turqi, kështu që barra do të ishte mbi lidershipin e Kosovës për të demonstruar se ata ishin të përkushtuar për të vepruar në mënyrë konstruktive në bashkëpunim me NATO-n për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe me Serbinë”, thotë ish-zyrtari i DASH-it.

Hooper sugjeron që “ndoshta Kurti mund të kërkojë këshilla nga disa prej negociatorëve të mëhershëm zyrtarë të partive tani në opozitë, që e kuptojnë se diplomacia është arti i të mundshmes.”

“Realisht, Kosova nuk do të mund të hap bisedimet për anëtarësimin në NATO, nëse Kurti nuk tregon vetë-disiplinë për të ndërprerë veprimet provokuese që nxisin Beogradin.”

Kjo sipas tij është mëse e nevojshme duke ditur edhe gjendjen aktuale bë Ukrainë dhe rrezikun që mund të vijë në Ballkanin Perëndimor.

“Arena politiko-ushtarake evropiane, pjesë e së cilës janë Kosova dhe Serbia, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen. Kjo është arsyeja pse Kurti duhet të vendosë se si të injektojë një nevojë më të madhe urgjence në procesin diplomatik. Nëse Rusia nuk detyrohet të humbasë në Ukrainë, Moska do të hedhë një hije më të madhe në Ballkan dhe me gjasë do ta trajtojë Kosovën dhe shtetet e tjera afër si fruta të vogla që mund t’i korrë me rrezik minimal, duke përfshirë heqjen e llogarive me Serbinë për ndihmën e saj për Ukrainën. Kështu, siç e kam theksuar, koha është kritike për ruajtjen e interesave të Kosovës. Kurti duhet të marrë drejtimin në kërkimin e riformësimit të Dialogut dhe qasjes së përgjithshme të SHBA-së dhe BE-së ndaj diplomacisë ballkanike, e cila do të kërkojë më shumë vetëdisiplinë dhe imagjinatë sesa ai ka demonstruar ende.

UBT

Për vendimin e Bankës Qendrore për dinarin serb, ai ka rekomanduar që ky veprim duhet të pezullohet për një kohë të pacaktuar.

“Shembull perfekt i një nisme të panevojshme kosovare që rëndon Serbinë dhe Perëndimin, ndërkohë që fiton pak për Kosovën, është synimi i Bankës Qendrore për dinarin serb. Ky veprim duhet të pezullohet për një kohë të pacaktuar nëse nuk kthehet plotësisht. Është lloji i iniciativës së politikës kosovare, duke mos arritur asnjë interes thelbësor në këmbim. Në fakt rrit dobësitë e sigurisë së Kosovës. Prirja e qeverisë Kurti për të rrezikuar pa nevojë sigurinë e vendit në një mënyrë që prish marrëdhëniet fqinjësore ngjall zhgënjim të padëshiruar tek aleatët e Kosovës”, shprehet ai.

Sa i përket Asociacionit, eksperti amerikan tha se Kosova është pajtuar në parim për themelimin e tij, dhe se kjo duhet të ndodhë.

“Mosmarrëveshja për Asociacionin është një çështje më komplekse që i ka rrënjët në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, në të cilën Kosova u pajtua në parim për themelimin e tij. Megjithatë, kishte gjithashtu një mirëkuptim se do të kishte diskutime të mëtejshme të termave të referencës së një shoqate. BE-ja duhet të sjellë Kosovën dhe Serbinë në bisedime të reja për një asociim pa insistuar që kushtet siç janë tani janë përfundimtare. Serbia duhet të pranojë se kërkohen më shumë bisedime, dhe Kosova duhet të pranojë se një asociacion do të krijohet, edhe pse me kushte të sapo negociuara. Marrëveshja se do të zhvillohet një raund i ri bisedimesh nuk ka nevojë të minojë interesat thelbësore kosovare apo serbe, përderisa as Vuçiq dhe as Kurti nuk luajnë “kartën nacionaliste” për të sulmuar procesin e negociatave, tha Hooper.

Për Serbinë, ai thekson nevojën për një marrëdhënie më të mirë me Kosovën, e cila është jetike për të ecur përpara.

Vuçiq sipas Hooper, do të duhet të përballet me sfidën “për të bindur BE-në se Beogradi do të ishte i përgatitur të pranonte pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në BE.”

Hooper thekson se në këtë pikë, Vuçiq ka nevojë që partnerët e ardhshëm evropianë të Serbisë të pranojnë se ai duhet të mos luajë me kartën e njohjes deri në fund të procesit të anëtarësimit. /Telegrafi/