Ekspertët e quajnë të dështuar arsimin parauniversitar
Viti shkollor 2014-2015 në arsimin parauniversitar po përfundon me telashe e sfida të shumta, që nga rezultatet e dobëta të nxënësve nëpër testet e njohurive e deri tek dështimet që ka vënë në pah realizimi i kurrikulës së re që po pilotohet nëpër shkollat fillore dhe të mesme, shkruan sot Koha Ditore.
Ekspertë të arsimit thonë që shumëçka në arsimin parauniversitar duhet ndryshuar nëse, sipas tyre, duam të shpëtojmë gjeneratat e reja nga “apokalipsi”. Drejtorët e shkollave përmendin një varg problemesh.
Ata madje edhe vetë po vënë në pikëpyetje rezultatet e nxënësve të shkollave të tyre nëpër testet e njohurive, nëse vazhdohet me këtë qasje ndaj shkollave dhe arsimit.
Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë së Arsimit e shohin ndryshe situatën, duke thënë se arsimi parauniversitar po përmirësohet gjithnjë e më shumë, përcjell koha.net.
Eksperti i arsimit parauniversitar, Halim Hyseni, ka thënë për “Kohën Ditore” se rezultati i testeve të njohurive për klasat e nënta që Ministria i ka prezantuar me arritje mesatare prej 62 për qind “është i fryrë dhe nuk është i besueshëm”. Sipas tij, po të ishte real edhe kështu siç është prezantuar, sërish është i pavolitshëm, sepse 38% e nxënësve nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë të aftë për lexim- shkrim gjatë gjithë jetës.
E telashet dhe problemet që e kanë përcjellë këtë vit shkollor i pohon edhe drejtuesi i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë. Drejtori i saj, Osman Beka, ka thënë se si sukses mund të përmendet vetëm disiplina e shtuar tek nxënësit, pasi që pothuajse ky ishte ndër vitet më te qeta që nga paslufta, me as më të vetmin incident në shkollë apo ndërmjet nxënësve.
E kolegu i tij, drejtori i shkollës fillore “Xhemail Mustafa”, Qazim Çunaku, ka thënë se edhe shkollën e tij e kanë përcjellë shumë sfida gjatë këtij viti shkollor.
http://koha.net/?id=27&l=63093


