Eko Higjiena

Ekspertët dhe shoqëria civile i japin përkrahje planit ideor të Hotelit “Kristal”

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Të hënën është prezantuar projekti ideor i ndërtimit të Hotelit “Kristal” që kap një kosto prej 22 milion eurove. Ky projekt ndryshe është quajtur edhe e ardhmja evropiane e Gjilanit. Projekti ideor është prezantuar nga Arbër Shita i cili e ka fituar në një garë të brendshme konkursin për përpilimin ideor të projektit. Shoqëria civile dhe ekspertët e kanë quajtur lajm të mirë investimin e pronarit Mustafë Shala.

Projekti ideor i ndërtimit të Hotelit “Kristal” që tashmë i ka kaluar të gjitha fazat është hedhur në diskutim publik këtë të hënë, ku kanë marrë pjesë ekspert të kësaj fushe, shoqëria civile, mediet dhe përfaqësues nga jeta politike, organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”.

Arbër Ismajli nënkryetar i komunës e ka përgëzuar investitorin Mustafë Shala dhe vet kompaninë projektuese. “Është një lajm i mirë dhe urojë të vazhdoni edhe me projektet e tjera të zbukurimit dhe zhvillimit të qendrës së qytetit” tha Ismajli.

Bekim Bajrami drejtor i Urbanizmit tha se Hoteli “Kristal” është qendra e qytetit të Gjilanit, dhe pesha dhe rëndësia e këtij projekti është e madhe. “Drejtoria e Urbanizmit është kujdesur për kushtet dhe specifikat e Hotelit, është projekt atraktiv dhe origjinal dhe realisht ky projekt është e ardhmja evropiane e Gjilanit.

Ndërsa, Arbër Shita kompania e të cilit është përzgjedhur për ta finalizuar projektin ideor tha se projekti ideor është kryer me sukses të plotë duke u respektuar kushtet e ndërtimit dhe të përshtatura me kushtet e ardhshme urbanistike. “Hoteli është me pesë yje dhe ka ambiente të jashtëzakonshme dhe moderne. Do të ketë dhoma fjetjeje, biznese e lokale të shumta afariste. Do të ketë gjelbërim të mjaftueshëm, fitnese, salla sportive, sauna, banjo dhe sporte ujore, pishina, katër etazha nëntokësore, bodrumi me parkingje për kapacitet të Hotelit 120 vend parkingje” tha Shita.

Shita tha se ndërtimi final i këtij Hoteli gjigant kushton rreth 22 milion euro dhe ka rreth 12800 metra katror dhe është nëntë katëshe.

Hidromorava

Ekspertët ndërkaq i kanë dhënë mbështetje dhe përkrahje këtij projekti. Muhamed Sadriu tha se projekti po shihet se i ka kaluar fazat urbanistike.

Shaban Terziu nga shoqëria civile ka pyetur për kushtet urbanistike dhe sizmologjike dhe tha se mezi pret ta sheh Hotelin modern në Gjilan.

Shaqir Ukshini nga drejtoria e urbanizimit tha se janë zbatuar të gjitha kriteret urbanistike kurse Riza Abdyli këshilltar komunal tha se pronari duhet të ketë përkrahje nga komuna dhe shoqëria civile. “Gjilanit i ka munguar një hotel i mirëfilltë dhe urojë të komuna mos të merret me finesa të vogla sepse ky Hotel i dedikohet qytetit të Gjilanit”.

Kurse Mustafë Shala pronar i Hotelit “Kristal” tha se gjithçka që do të ndërtohet do të bëhet publike dhe transparente./rajonipress/