Mobi Casa

Ekskluzive: Gjermanët kishin të drejtë për “patkoin” e Serbisë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Bartja e trupave ishte bërë me qëllim që të fshiheshin krimet e operacionit patkoi. Plani i Serbisë ishte publikuar nga Gjermania. Hetimi konstaton se pas publikimit të planit, ishte dhënë urdhri që të zhvarroseshin trupat dhe të dërgoheshin në Serbi, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. Trupat e mbledhur gjithandej Kosovës, fillimisht ishin dërguar në Zveçan. Prej aty janë transportuar për në Serbi.

Ministri gjerman i mbrojtjes Rudolf Scharping, ka pasur të drejtë. Ai në vitin 1998 kishte publikuar informacionet që kishte siguruar Shërbimi Inteligjent i Gjermanisë për ekzistimin e operacionit “Patkoi” të hartuar nga krerët e atëhershëm të shtetit serb.

Millosheviqi synonte që me atë operacion ta spastronte Kosovën etnikisht duke e i përzënë shqiptarët nga Kosova, duke i vrarë dhe duke ua djegur pronat e tyre. Ish-ministri gjerman ka qenë vazhdimisht nën thumbin e kritikës së opinionit që ishte kundër bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, duke thënë se plani ishte shpikur për ta arsyetuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në këto bombardime.

UBT

Por, një hetim i bërë nga Tribunali i Hagës, për bartjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në luftë me kamionë frigoriferë drejt Serbisë i ka dhënë të drejtë ish-ministrit gjerman dhe inteligjencës së këtij shteti. Hetimi, detaje të të cilit i ka mësuar Tribuna, ka arritur të sigurojë shumë dëshmi për mënyrën se si trupat janë zhvarrosur nga varrezat masive dhe janë vendosur në kamionë frigoriferë dhe janë nisur drejt Serbisë.

Hetuesit megjithatë asnjëherë nuk kanë gjetur dëshmitarë që do të dëshmonin për fatin e trupave në Serbi, gjë që ka pamundësuar ngritjen e një aktakuze kundër shtetit serb për përfshirje në këtë përpjekje për ta fshehur krimin. Gazeta Tribuna ka publikuar në dy numrat e kaluar dëshminë e Ivan Pajiqit, qytetarit serb nga Bori, që rrëfen se ka parë bashkë më babanë e tij zbrazjen e kufomave nga një kamion frigorifer në shkritoren e këtij qyteti.

Rrëfimi i tij hedh dritë mbi njërin nga sekretet më të mëdha të Serbisë sipas drejtoreshës së Fondit Humanitare për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq. Dëshmia e Pajiqit dhe e dëshmitarëve tjerë është përçmuar nga prokuroria e Serbisë për Krime të Luftës. Gazeta ka kohë që ka nisur pyetje në drejtim të kësaj prokurorie për këto dëshmi, por nuk ka marrë përgjigje.(Tribuna)