UBT

Ekonomia të çlirohet nga mafio – oligarkët

/ 6 minuta lexim
HW

Zgjedhja e kryeministrit të ri të vendit, Ramush Haradinaj, po pritet me kureshtje nga biznesi, nëse do t’u hapet rruga investimeve vendore dhe atyre të huaja dhe se më në fund pritet që të largohen dhe eliminohen pengesat, bllokadat dhe barrierat e qëllimshme të pushtetarëve të deritashëm, që bëheshin për motive korruptive e të inkriminuara.

Analistët shpresojnë se do të eliminohen mitoja e ryshfeti që nga pushtetarët e të dyja niveleve bëheshin me vlera e përqindje të larta. Përfaqësuesit e biznesit dhe ata të shoqërisë civile kanë treguar optimizmin e tyre se pas zgjedhjes së Qeverisë, më në fund, edhe në Kosovë pritet se do të ndryshojë diçka. Në të kundërtën sipas analistëve, vaj halli për bizneset dhe qytetarët tanë po qe se vazhdohet me avazin e vjetër të funksionimit të papenguar nga askush dhe as nga Prokuroria Speciale (PSRK). Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj (‘Çohu’), tha për “Kosova Sot” se ndryshimi mund të vjen vetëm nëse Qeveria ‘Haradinaj’ prioritet të punës së vet e ka sundimin e ligjit si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, mund t’u ngushtohet rrethi mafio-bizneseve që janë të inkriminuara dhe të ndalet ryshfeti që u kërkohet investitorëve.

Të ndalet ryshfeti

Ligjëruesi universitar dhe eksperti i ekonomisë, Ibish Mazreku, tha për “Kosova Sot” se me qeverinë e Ramush Haradinajt do të kemi ndryshime për të mirë në qeverisjen e nivelit qendror, por edhe në komunat kosovare. Ai beson se me qeverinë ‘Haradinaj’ do t’u hapet rruga investimeve vendore, por edhe atyre të huaja, që viteve të fundit siç dihet kanë rënë dukshëm. “Duke e njohur nga afër personalitetin e kryeministrit të ri, kam besim të plotë se ai do të largojë dhe eliminojë pengesat, bllokadat dhe barrierat e deritashme, që ka dyshime të mëdha se ato ishin të qëllimshme dhe bëheshin për motive korruptive e të inkriminuara nga një pjesë e pushtetarëve që ishin të organizuar deri në formën e krimit të organizuar, dhe ku ka pasur dyshime të mëdha se mitoja me vlera e përqindje të larta veçse ishin bërë të pashmangshme nëpër të gjitha qeveritë komunale, sikur edhe në të gjitha ministritë dhe deri në vetë majat e pushtetit “, ka thënë ai. Sipas Mazrekut, nëse edhe pas këtyre zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re do të vazhdohet me avazin e vjetër të funksionimit të papenguar nga askush dhe as nga Prokuroria Speciale (PSRK) dhe heshtjes së mëtejme ndaj krimit të organizuar, ekonominë e brishtë të vendit e presin ditë shumë të vështira.

Bizneset e ndershme, nën presion

HW

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, tha për gazetën “Kosova Sot” se duke e njohur karakterin e kryeministrit të ri nuk përjashtohet mundësia që ai me një patriotizëm kombëtar të madh që shquhet nga të tjerët që ishin deri më tash kryeministra ai do të fillojë me gjithë shpirt që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Mendoj që kurrë nuk është vonë që të fillojë një gjë e tillë me ndodh, vetëm e vetëm që më në fund edhe në Kosovë të kemi rend, rregull dhe ligj dhe të bëhemi me një ekonomi me treg të hapur dhe të lirë”, potencoi Maloku. Ndërsa analisti Faton Mehmeti tha për ” Kosova Sot” se pa asnjë fije dyshimi bizneset e ndershme ne Kosovë janë në halle të mëdha, si pasojë e presionit që u bëhet nga barrierat e pushtetarëve të vet, pastaj edhe nga haraçet e oligarkëve që janë të lidhur me pushtet. “Pengesat në këtë fushë janë ato të krijimit të monopoleve, pastaj inkuadrimi i sekserëve, të cilët kërkojnë para për të fituar ndonjë tender dhe forma të tjera, gjë që kur bëhen së bashku të gjitha këto e bëjnë të vështirë dhe të pamundur që të mbijetojë një biznes i ndershëm “, u shpreh ai. Analisti Mehmeti tha se sekserët janë të lidhur me njerëzit vendimmarrës, “ata edhe u bënë pjesë e qeverisë përmes ryshfetit dhe parave të pista”.

Pushteti bëri bllokada, pushteti t’i largojë

Ekonomisti Dardan Grapci i ka thënë gazetës”Kosova Sot” se rruga e investimeve vendore dhe të huaja duhet të hapet pas 6-mujorit të parë të qeverisjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai vlerëson se bllokadat e qëllimshme që janë vënë nga qeveritarët e inkriminuar do largohen , ku investitorët do jenë të lirë të investojnë në Kosovë. “Duhet thënë se në shumë qytete bllokada e investimeve ndodh nga komuna e jo nga institucionet e Kosovës”, potencoi ai. Sipas Grapcit, Prokuroria Speciale e Kosovës duhet që të fillojë sa më shpejt bashkëpunimin me kryeministrin Haradinaj, për parandalimin e korrupsionit, krimit të organizuar etj. Ndërkohë analisti Xhevdet Neziraj tha për gazetën “Kosova Sot” se gëzon fakti se në ekspozenë e vet kryeministri i vendit para deputetëve, por edhe qytetarëve, pohoi se vendi ka korrupsion endemik ka krim të organizuar, mos zhvillim ekonomik, dhe se si prioritet të parë shpalli luftën kundër këtyre të këqijave. “Qeveria e re, përveçqë duhet të luftojë këto të këqija, fokusin kryesor duhet ta orientojë në zhvillimin e vazhdueshëm të faktorëve ekonomikë drejt një ekonomie të zhvilluar të tregut, e cila do të jetë kompatibile me partnerët e BE-së dhe vendeve të rajonit”, tha analisti Neziraj. Sipas tij, mund të kemi një rritje reale ekonomike, që të tejkalojë 5 për qindëshin dhe pa një rritje të tillë e kemi vështirë të zbutet papunësia, të cilën e kemi më të madhen në rajon. “Kjo mund të bëhet vetëm me rritjen e investimeve të huaj dhe ato vendore, si dhe rritjen e konsumit dhe për këtë qeveria e re duhet që të ndërmarrë shpejt këto masa”, theksoi ai

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.