Ekonomia e Kosovës në gjendje të rëndë, miliardat e Trustit do të duhej të investoheshin në vend

Nga 2.3 miliardë euro euro pensione të kosovarëve që menaxhohen aktualisht nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, prej tyre rreth 1.5 miliardë janë të investuar në SHBA dhe Evropë.

Këto para, sipas Florin Aliut, njohës i ekonomisë, do të mund të investoheshin të gjitha në Kosovë, sikur të ishte i konsoliduar tregu i kaptalit.

“Prandaj, që këto mjete ose një pjesë e konsiderueshme e tyre të kthehen në Kosovë duhet të krijohet tregu i kapitalit. Sepse natyra e fondeve të tilla kërkon investime në instrumente financiare që ekzistojnë vetëm në bursa. Paramendojeni çfarë infuzioni për ekonominë e Kosovës do të ishte nëse 1 miliard euro futen në kompanitë e Kosovës të listuara në bursë, impakti do të ishte i jashtëzakonshëm”, thotë Aliu, ndër të tjera, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, krijimi i këtij tregu do t’ju mundësonte kompanive vendore të kenë mundësi të bëhen korporata ndërkombëtare, ndërkohë kompanitë shtetërore do të mund të ktheheshin në kompani publike, ku qytetarët e Kosovës, diaspora dhe investitorët ndërkombëtarë do të bëheshin pronarë të tyre.

Këto kompani asnjëherë nuk do të mund të operojnë me fitime nëse nuk listohen në bursë dhe kthehen në kompani të njerëzve. Shteti e ka të pamundur të menaxhojë kompani sepse ky dështim është i vërtetuar edhe në vende tjera.“Pamundësia e shtetit për të menaxhuar kompani gjen shpjegimin në konceptet bazë të kapitalizmit që është maksimizimi i fitimit. Prandaj, nëse këto kompani si KEK-u, Telekomi, etj., do të jenë nën menaxhim të shtetit, kostot sociale dhe buxhetore do të jenë shumë më të larta se sa përfitimet. Tregu i kapitalit mundëson që këto të jenë të kontrollueshme jo vetëm nga një pronar por nga mijëra e ndoshta edhe miliona pronarë”, vlerëson Aliu.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS