Hidromorava

Ekonomi me pak zhvillim

/ 7 minuta lexim

Pak ngjarje të mira gjatë vitit 2012 do të mbahen mend se ndodhën në ekonominë e Kosovës. PTK nuk u shit. Kosova e re nuk u ndërtua. E shumë projekte të mëdha që u tha nga Qeveria se do të kryhen këtë vit, nuk përfunduan. Ngjarja më kryesore që shënoi këtë vit vlerësohet anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, autostrada dhe rritja e pensioneve.

PTK’ja nuk u shit. Kosova e re nuk u ndërtua. E shumë projekte të mëdha që u tha nga Qeveria se do të përfundojnë këtë vit, nuk përfunduan.

Shitja e distribucionit të KEK-ut, që ndodhi sivjet nuk vlerësohet si e arritur nga ata që i njohin zhvillimet ekonomike në vend, pasi privatizimi duket se nuk ka shkuar në të mirë të shtetit.

Ekonomistët thonë se pothuajse asnjë nga parashikimet e planit Banjsko për zhvillimin ekonomik të Kosovës, nga 2011-2014, nuk u realizua komplet në afatet e parapara.

Në përgjithësi projektet kryesore të shtetit u zvarritën dhe pak gjëra të mira mbahen mend të kenë ndodhur në vitin 2012.

Ngjarja më kryesore që shënoi këtë vit thuhet se është anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, hap i cili do t’u mundësojë shumë investuesve privatë që të marrin kredi nga kjo bankë me interes të ulët.

Edhe rritja e pensioneve për shumë kategori të pensionistëve, pavarësisht se u përcoll me polemika, pranohet si nga qytetarët ashtu edhe qeveritarët si një e arritur e këtij viti. Kështu pensionistët i gëzohen edhe festës pasi me të ardhurat e tyre mund të blejnë më shumë produkte për të kremtuar.

Nëse shikohen të gjitha zhvillimet në retrospektivë, ky vit shumë pak dallon nga viti 2011, si për të mirë, si për të keq.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, madje thotë se në shumë indikatorë ekonomikë viti 2012 ka qenë më negativ sesa vitet paraprake.

“Rritja ekonomike në vend ka shënuar ngritje më të ngadalshme, inflacioni ka shënuar rritje, ashtu sikurse deficiti tregtar, gjersa reminetancat nga diaspora kanë shkuar duke rënë; kamatat e kredive kanë qenë në nivel të njëjtë, çfarë e ka dëmtuar biznesit dhe ekonomitë shtëpiake”, thotë Demi.

Sipas tij, si ngjarje negative që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për këtë vit, është vendimi për shitjen e rrjetit të energjisë për 26.3 milionë euro “përmes një kontrate të dëmshme publike, e cila kushtëzon investimet në rrjet me ngritjen e çmimit të energjisë”.

Vendim tjetër i dëmshëm për ekonominë dhe i cili ka dëshmuar se nuk ekziston një strategji konsistente ekonomike në vend, sipas tij, është edhe vendimi për bllokadën e importimit të çimentos nga vendet e rajonit, në anën tjetër në pamundësi për të përmbushur kërkesat e tregut nga prodhuesi i vetëm në Kosovë, erdhi deri te ngadalësimi apo edhe bllokimi i punës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Ky rast dëshmon se përkundër deficitit të lartë tregtar, Qeveria nuk e ka të qartë se në cilat aspekte të marrë masa mbrojtëse”, thotë Demi.

Se çfarë e karakterizon në aspektin ekonomik Kosovën e vitit 2012, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, Ibrahim Rexhepi shpjegon se institucionet gjatë kësaj periudhe më shumë janë munduar të mbajnë një gjendje të njëjtë me vitin e kaluar se të ndryshojnë diçka për të mirë.

Mobi Casa

“Asgjë më shumë se mbajtja e nivelit të varfërisë dhe premtimet boshe të qeverisë për tejkalimin e kësaj gjendjeje”, shprehet Rexhepi.

Sipas tij, shumë ngjarje të rëndësishme e kanë shënuar këtë vit që tani po e lëmë pas, por nuk janë shumë që mund të merren si pozitive.

“Ne kuptimin pozitiv, ngjarje mund të jetë anëtarësimi i Kosovës në BERZH, përfundimi i autostradës”.

Ndërsa në aspektin negativ, ai përmend punët e jashtëligjshme edhe niveli i lartë i korrupsionit, i cili ka reflektim direkt edhe në rrafshin ekonomik e social janë ndër më kryesoret që kanë shënuar këtë vit.

Ndërkaq, Rexhepi ka një mendim më neutral sa i përket situatës ekonomike në vend në bazë të indikatorëve makroekonomikë krahasuar me vitin 2011.

“Sipas indikatorëve makroekonomikë, duket një situatë më relaksuese në raport me vendet e rajonit, meqenëse është mbajtur një nivel i zhvillimit ekonomik, por që nuk ka reflektuar pozitivisht në ndryshimin e cilësisë së jetës në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, këta parametra zhvillimorë kanë efekt të ngushtë të ndikimit, përkatësisht prej tij përfitojnë vetëm një shtresë e vogël e qytetarëve të Kosovës.

Derisa përmendet si ngjarje e madhe e vitit anëtarësimi i Kosovës në BERZH, kjo ka ndikuar që disa projekte të mbeten pa u realizuar.

Një ndër ta është edhe privatizimi i PTK-së që është shtyrë për vitin tjetër. Shitja e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje ishte planifikuar të ndodhte deri në fund të këtij viti, por ka gjasë të mos ndodhë as në vitin e ardhshëm. Me anëtarësimin në BERZH, Qeveria e Kosovës mund t’i mbulojë nevojat e veta financiare me kredi nga kjo bankë.

Njohësit e ekonomisë thonë se zvarritja e proceseve në këtë fushë nuk është diçka e re. Kështu thonë se ka ndodhur pothuajse me të gjitha privatizimet e ndërmarrjeve publike, për shkak të vendimeve të ngutshme të Qeverisë. Ata në njëfarë forme i janë gëzuar mos shitjes së ndërmarrjes më profitabile në vend dhe kërkojnë që të mos vazhdohet fare me privatizimin vetëm sa për të plotësuar nevojën për mjetet që tani i duhen Qeverisë. Sipas ekonomistëve, të ardhurat e PTK-së do të ishin një burim i mirë për t’i shlyer ratat e kredive të Qeverisë nëse vazhdon të mbetet në pronësi publike.

Ndërkaq, projekti më madhorë i vendit që pritej të zgjidhte problemin e Kosovës me energji elektrike pothuajse ka dështuar komplet. Gjithçka sa i përket ndërtimit të Termocentralit Kosova e re ka filluar nga zeroja, pasi është vendosur që të ndryshohet pakoja tenderuese me kërkesë të kompanive në garë, duke hequr nga tenderi Kosovën B.

Kjo dhe shumë projekte tjerë do të mbeten barrë e institucioneve për vitin tjetër.

Në vitin 2013, përveç PTK-së, Kosovës së re dhe përfundimit të autostradës është premtuar se do të fillojnë autostradat, për Shkup dhe për Nish.

Derisa Qeveria është optimiste se do të përfundojnë brenda kohës së paraparë shoqëria civile është skeptike se do të përfundojnë ashtu siç ka premtuar qeveria.(express)