Ekip special për të hetuar vjedhjet në Stubëll, ankohet edhe kisha e Binqës

Gjilan – Në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, është vlerësuar situata e sigurisë si e qetë dhe stabile, pas incidenteve të fundit që kanë ndodhur në komunën e Vitisë, respektivisht demolimit të varrezave ortodokse dhe rrënimit të përmendores së LNÇ-së ditë më parë në qendër të qytetit.
Ushtruesi i detyrës së komandantit të policisë në Viti kapiten Remzi Azemi, ka njoftuar se situata është stabile pas incidenteve që ndodhën me demolimin e varrezave ortodokse në Viti.
Ai theksoi se Njësiti i hetimeve ka qenë i angazhuar në zbulimin e këtyre rasteve dhe ka arritur të arrestoj 5 persona që dyshohen të jenë të përfshirë si akterë të kësaj ngjarje. “Ata janë intervistuar nga policia në prani të avokatëve dhe përgjegjësit të Qendrës për Punë Sociale dhe rasti është proceduar në prokurori” ka thënë Azizi.
Sipas tij ka pasur një ulje të rasteve të vjedhjeve javën e fundit , ndërkohë që është formuar një komision i veçantë përhetimin e vjedhjeve në Stubëll tha Azemi.
Lidhur me vjedhjet, shqetësim ka paraqitur edhe përfaqësuesi i famullisë së Binqës , Zef Marku i cili përmendi disa raste të vjedhjeve nëpër shtëpi të këtij fshati dhe tentimin e thyerjes së 3 kishave katolike në komunën e Vitisë.
Kurse kleriku i kishës ortodokse serbe Zvono Kostiq ka kërkuar një angazhim më të madh të policisë në ruajtjen e monumenteve dhe varrezave serbe. Në këtë takim, KKSB ka diskutuar edhe për disa pika të tjera që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve siç është mos menaxhimi i mirë i tregut të kafshëve, shpërndarja e ndihmave për skamnorët duke mos përfillur kriteret etj. /rajonipress/