Ekaterina Trendafilova emërohet kryetare e Gjykatës Speciale
Kompletimi i stafit për Gjykatën Speciale tanimë ka arritur në fazën përfundimtare. Bullgarja Ekaterina Trendafilova është emëruar kryetare e Dhomave të Specializuar të Kosovës, duke shënuar kështu edhe plotësimin e stafit të kësaj Gjykate, e cila pritet të fillojë punën në janar të 2017-s.
Emërimi i kryetares së Gjykatës Speciale pason pas emërimit të kryeprokurorit amerikan David Schwendiman si prokuror special i Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Trendafilova në pozitën e kryetares së kësaj Gjykate është emëruar për një mandat katërvjeçar, i cili hyn në fuqi në janar të 2017-s.
Emërimi i Ekaterina Trendafilovas ka ardhur pas “rekomandimit të panelit përzgjedhës të pavarur, autoritetit emërues, me ç’rast shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, emëroi zyrtarisht kryetaren e Gjykatës Speciale”, ka bërë të ditur njoftimin Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërkaq, me të pranuar këtë post Trendafilova ka deklaruar se ndihet thellësisht e nderuar që ka marrë këtë pozitë.
“Në këtë moment të rëndësishëm, në fillimin e veprimtarisë së Dhomave të Specializuara, kam privilegjin të kryej detyrën udhëheqëse që mu besua. Jam e ndërgjegjshme se garantimi i zbatimit prej Dhomave të Specializuara të praktikave gjyqësore më të mira dhe i administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme si për ata që ngarkohen me përgjegjësi penale, po ashtu edhe për viktimat e krimeve që pretendohet se janë kryer përbën përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam e përkushtuar që këtë detyrë ta kryej në mënyrë të pavarur, me vendosmëri, vrull e përkushtim të plotë. Është me rëndësi jetike që mandatin tonë ta zbatojmë në mënyrë efikase, profesionale dhe të sigurt”, ka thënë ajo.


