Ejup Qerimi lë punëtorët e PTK-së pa kontratë

Gjithçka ishte gati për të vënë në zbatim kontratën kolektive. Punëtorët kishin zënë vendet në kohë, në krye me përfaqësuesin e tyre, Milazim Alshiqin. Përskaj tij ishte rezervuar vendi për kryeshefin ekzekutiv të PTK-së, Ejup Qerimi. Firmat që do t’i vinin të dy në dokumentet tashmë të hapura në tavolinë do t’u garantonin punëtorëve shujtën, orarin tetë orësh në punë dhe përfitimet tjera që parasheh Kontrata Kolektive.
Por edhe pas 15 minutash pritjeje, karrigia e rezervuar për Qerimin mbeti zbrazët. Ai nuk erdhi ta nënshkruajë këtë dokument.Arsyen e mungesës së kryeshefit të PTK-së, s’po e di as Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve. Mirëpo, ai po thotë se është befasuar shumë nga ky veprim i Qerimit. Bile, sipas tij, një injorim të tillë as nuk e ka pritur t’i ndodhë.
E, menaxhmenti i PTK-së, përmes një njoftimi për media, ka thënë se i pari i PTK-së nuk mori pjesë pasi draft-marrëveshja mes PTK-së dhe Federatës Sindikale të Punëtorëve të PTK-së nuk i ka kaluar të gjitha procedurat e korporatës dhe hierarkinë e vendimmarrjes…(Tribuna).