UBT

Edward P. Joseph: Takimi me Blinken sukses i Kosovës, erdhi pas progresit të fundit në dialog

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Profesori amerikan që ligjëron në shkollën për studime të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “John Hopkins” në Uashington, Edward P. Joseph në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth takimit në mes të liderëve të Kosovës dhe numrit një të Departamentit të Shtetit.

Shkruan: Besnik Velija

Joseph ka thënë se takimi në mes të Sekretarit Amerikan, Antony Blinken me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti është i rëndësishëm, meqë SHBA ka gjetur kohë për takim me një shtet të vogël si Kosova në një kohë krizash masive në botë.

“Takimi i Sekretarit të Shtetit Blinken me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti ishte i rëndësishëm për disa arsye. Le të kujtojmë se Kosova është një vend i vogël — dhe sot ka kriza masive në botë. Marrja e kësaj vëmendjeje të nivelit të lartë ishte një arritje e suksesshme për Kosovën”, ka thënë Joseph për Express.

Ai tutje thotë se ky takim ka qenë edhe si rezultat i progresit të bërë në dialog, në mënyrë specifike për marrëveshjen për energjinë dhe njohjen nga SHBA-ja e vullnetit të Kosovës për qasje konstruktive në negociata pas ngecjeve në fillim të vitit.

“Mendoj se takimi ishte në njohje të progresit të fundit në Dialog, veçanërisht marrëveshjes për energjinë elektrike dhe njohjes së vullnetit të palës kosovare për t’iu qasur Dialogut në një qëndrim më konstruktiv, pas vështirësive në fillim të këtij viti”, ka potencuar profesori amerikan, Edward P. Joseph.

I pyetur nëse pret një zhbllokim në çështjet e mëdha të dialogut pas këtij takimi në kryeqytetin amerikan, Joseph është shprehur skeptik.

“Jo, S’kam shpresa të mëdha për dialogun pas kësaj. Me shpresën që do të ketë marrëveshje për tabelat dhe personat e zhdukur, por edhe për këtë s’ka garancë. Sa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kjo mund të bëhet në kontekst të një zgjidhje finale, që përfshinë normalizim të plotë dhe real, që duhet të jetë njohja reciproke, siç është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar tutje Joseph i pyetur nëse pret lëvizje për Manastirin e Deçanit, Asociacionin apo edhe për çështjen e personave të zhdukur.

Joseph ka thënë se nuk është reale të pritet një marrëveshje për Asociacionin derisa Serbia nuk e pranon Kosovën, dhe për më keq është aktivisht armiqësore në disa fronte, në mënyrë të veçantë për “kapmanjën e çnjohjeve”.

Uji Dea

Profesori amerikan e ka ndërlidhur çështjen e Asociacionit edhe me aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Edward P. Joseph thotë se fakti që Vucic kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, lë të kuptohet që s’është i interesuar për mbrojtjen e të drejtave të serbëve.

“Asociacioni mund të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe integritetin territorial deh sovranitetin. Por me shumë mundësi nuk është ky qëllimi i Vuçiqit”, ka potencuar profesori amerikan.

Ai tutje ka thënë se pyetja më e gjerë që duhet bërë, është se si SHBA dhe BE e shohin rolin rajonal dhe ndërkombëtar të Vucicit, pesë muaj pas invazionit të Rusisë në Ukrainë.

“Si amerikanët dhe evropianët e shohin Vucicin si ‘partner” kur ai nuk do ta sanksionojë Rusinë?”,

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të insistojnë në pajtueshmërinë e Beogradit për këtë çështje — që është prioriteti më i lartë për Uashingtonin dhe Brukselin — atëherë ç’të themi për rolin e Beogradit në rajon? A është Beogradi një faktor stabiliteti në Bosnje-Hercegovinë, me mbështetje të fortë për Dodikun? Po në Mal të Zi, i cili ka një mundësi të artë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian? A e mbështet Beogradi këtë? Po Kosova? A synon Beogradi të ketë marrëdhënie të mira me fqinjin e tij?”, pyet Edward P. Joseph.

Ai thotë se SHBA-ja duhet të njohë faktin se këto pyetje politike s’mund të zgjidhen përmes nismave ekonomike si “Open Balkan”.

“Siç kam thënë , kjo iniciativë rrezikon ta bëjë situatën edhe më të keqe, jo më mirë”, ka thënë ai.

Në fund Edward P.Joseph thotë se problemi në mes të Kosovës dhe Serbisë është strukturor.

“Beogradi ka ndikim përmes mosnjohjes së Kosovës nga katër anëtarë evropianë të NATO-s: Greqia; Sllovakia; Rumania; dhe Spanjën. Ishte shumë mirë që sekretari Blinken përmendi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Siç kemi shkruar në raportin tonë në janar, ky është çelësi i stabilitetit demokratik jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjithë rajonin”./GazetaExpress/