Fundamenti

Edvin Murati: Kështu ndalet Franca

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Edvin Murati, ish ylli i Kombëtares shqiptare, e pranon se Franca është favorite ndaj ekipit kuqezi. Por, ai ka treguar recetën se si mund të ndalet Paul Pogba me shokë.

Ish ylli i Kombëtares shqiptare dhe PSG-së, Edvin Murati ka folur për përballjen mes Shqipërisë dhe Francës, e cila luhet sonte në Velodrom, në kuadër të Grupit A të Euro 2016.

Murati, i cili tash e disa vite jeton në Francës, në një intervistë për Panorma Sport e pranon se Franca është favorite ndaj ekipit kuqezi.Por, ai ka treguar recetën se si mund të ndalet Paul Pogba me shokë.

Të mërkurën luajmë ndaj vendit organizator, Francës. Si e mendoni?

Murati: Franca është favorite për të fituar Europianin, jo thjesht se është vendi organizator, por ka një superskuadër. Ata kanë probleme luksi (qesh), jo ato që mund t’i ketë Shqipëria apo ndonjë skuadër tjetër.

Domethënë, Shqipëria nuk ka asnjë shans ndaj ekipit të Deshamp?

Murati: Është shumë vështirë që t’i bëjmë një surprizë Francës. Vështirë të mbajmë presionin, edhe pse, në fund të fundit, në këtë takim nuk kemi çfarë të humbim. Ajo që mua më pëlqen te Kombëtarja është fakti se djemtë nuk kanë asnjë kompleks inferioriteti. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më kryesorja mbetet që të jemi dinjitozë. Po bëjmë një futboll të mirë dhe duhet të jemi krenarë për skuadrën.

Fakti që në dy ndeshjet e fundit ndaj Francës kemi fituar dhe kemi barazuar, e shton besimin për të bërë surprizën…

Murati: Ndaj Francës kemi luajtur dy ndeshje miqësore dhe tashmë është një tjetër histori. Franca ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, që dinë si të sillen në ndeshje miqësore dhe eliminatore. Dinë ku të vrapojnë më pak dhe dinë ku të jenë më të angazhuar. Ata luajnë të gjithë në kompeticione si Liga e Kampioneve dhe në të tilla takime angazhohen maksimalisht. Unë mendoj se nuk do të thotë asgjë që kemi fituar në miqësore, por futbollit nuk i dihet asnjëherë.

KKVITI

Duke qenë se e njihni mirë Francën, a ka një “recetë” si mund ta ndalim këtë Francë të frikshme?

Murati: Trajner nuk jam, por po përpiqem të bëj si i tillë (qesh). Francën mund ta ndalësh nëse skuadra jonë është kompakte dhe nuk lë hapësira. Me një vendosje të mirë në fushë, duke tentuar ndonjë kundërsulm, mund të bëjmë një surprizë. Shembulli më i mirë për këtë takim është loja që kemi bërë në Portugali, ku fituam 0-1. Shfrytëzuam një rast dhe u mbrojtëm mirë, kështu duhet të bëjmë edhe ndaj Francës. Nëse marrim edhe një barazim ndaj Francës, është rezultat shumë i mirë për ne. Me rregulloren e re të UEFA-s, një pikë të mërkurën të mban në lojë për një kualifikim të mundshëm.

Çfarë i druheni më tepër në këtë takim?

Murati: Franca i ka të gjithë të frikshëm, por për mua më i rrezikshmi është Pajet. Bën goditje shumë të bukura dhe mund të na shënojë nga çdo pozicion. Ka lojtarë që menaxhojnë mirë çdo situatë dhe nuk ke kujt t’i vendosësh gishtin. Kur ke në stol emra si Koman apo Martial, çfarë pret nga të tjerët. Nuk di kë të mbash më parë, Zhirunë që është në formë, Pajen apo Grizmanin. Për të mos folur për Pogbanë. Pra, na pret një takim shumë i vështirë ndaj lojtarëve që janë yje të Europës.

Miqtë tuaj në Francë, a ju kanë ngacmuar në prag të kësaj ndeshjeje?

Murati: Jo, ka tre muaj që nuk dua të flas me asnjë prej miqve të mi për këtë ndeshje. Jam përpjekur t’i evitoj këto situata, rëndësi ka që mediat franceze po e komentojnë me shumë pozitivitet Shqipërinë.

Në pozicionin që ju keni luajtur në Kombëtare, tashmë është Ermir Lenjani.

Murati: Çfarë këshille do t’i jepnit? Së pari, duhet ta mbaj fort atë krah (qesh). Lenjani ka një goditje super dhe kjo është ajo që duhet të shfrytëzoj në këtë takim. Është nga ata lojtarë që mund të shënojë. Ka kualitet dhe nëse bashkëpunon mirë me Agollin, jam i bindur se do të bëjnë një ndeshje të shkëlqyer ndaj Francës. Me një kundërshtar si Sanja, që luan në krahun e djathtë, Lenjani dhe Agolli mund të ndihmojnë shumë skuadrën.