Edita Tahiri e sigurt: Serbia do ta njohë Kosovën

Minstrja për Dialog Edita Tahiri shprehet e bindur se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe këtë sipas saj shteti serb do ta bëjë këtë, jo sepse e dëshiron, por sepse do të detyrohet nëse e ka synim integrimin në BE. Madje siç thekson ajo, sa më shumë që Serbia flet kundër Kosovës, aq më afër është njohjes së Kosovës. Në një intervistë për lajmi.net, Tahiri flet për ta arriturat që janë bërë në procesin e dialogut. Ndërsa insiston se muri në veri të Mitrovicës do të hiqet.
Lajmi.net: Znj: Tahiri, viti 2016 ka qenë shumë sfidues në sferën politike. Konsideroni se viti që shkoi ka qenë produktiv sa i përket bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për vitin 2017?
Tahiri: Dialogu i Brukselit ka kontribuar në mënyre substanciale për ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës, për forcimin e shtetit dhe shtrierjen e sovranitetit në veri të vendit. Dialogui Brukselit gjatë këtij viti kanë kontribuar dukshëm në realizimin e objektivave strategjike Qeverisë për forcimin e shtetit brenda dhe jashtë vendit. Në planin e brendshëm, dialogu i Brukselit ka kontribuar për forcimin e shtetit, Kosova ka shtrirë dhe konsoliduar më tej sovranitetit shtetëror në veri të vendit. Me këtë rast dëshiroj të veçoj tre arritjet kryesore të këtij viti. Kosova është bërë me kodin shtetëror telefonik 383, për herë të parë në historinë e saj, të cilën ia ndau ITU, dhepër të cilin aplikoi Austria, e gjithë kjo si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit për telekomin. Kosova fitoi pavarësinë ndërkombëtare në fushën e telekomit dhe identitetin shtetor në këtë fushë. Arritja e dytë madhore është se kemi vendosur institucionet qendrore në veri të vendit ku mbi njëzetë ministri dhe agjenci kanë filluar punën në Mitrovicën veriore me 28 dhjetor 2016, që është fakt juridik për shtrierjen e sovranitetit shtetërore në veri të vendit. Dhe arritja e tretë është heqja e barrikadës mbi lumin Ibër në gusht të këtij viti si rezultat i marrëveshjes së gushtit 2015.
Po ashtu dialogu ka ndihmuar në përmirësimin e përgjithshëm të jetës së qytetarëve në shumë plane, sundimit të ligjit, lëvizjes së lirë planin socio-ekonomik dhe në veçanti përmirësimin e stabilitetit politik, sigurisë, të marrëdhënieve ndëretnike dhe integrimit të komunitetit serb në pjesën veriore e vendit. Në planin e jashtëm, dialogu i Brukselit ka kontribuar për forcimin e pozicionit ndërkombëtar dhe avancimin e agjendës euro-atlantike.
Ka edhe rezultate tjera, Kosova po vendos institucionet qendrore në komunat veriore që ka filluar këtë muaj, ka hapur zyrat e ARC-së për pajisje me dokumentet e shtetësisë dhe së shpejti hapen zyrat e gjendjes civile. Kosova ka shuar të ashtuquajturën “mbrojtje civile” në janar të këtij viti ndërsa gjykatat paralele dhe policinë paralele në 2013. Kosova përfundimisht vendos sistemin unitar të drejtësisë në veri të vendit në janar 2017. Me marrëveshjen e IBM, Kosova ka vendosur kufirin ndërshtetëror me Serbinë në 2012, ndërsa gjatë këtij viti kemi finalizuar projektet për ndërtesat e përhershme në tri vendkalime kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ku vendi jonë është palë mikpritëse, ndërtimi i të cilave fillon në janar, me financimin nga BE-ja.
Në pritje është edhe marrëveshja për Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e arritur më 25 gusht 2015, në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë. Statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 dhjetor 2016. Ky proces do shkojë paralelisht me heqjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, për të cilat në Bruksel do të filloj punën grupi trepalësh.
Një e arritur tjetër e rëndësishme e dialogut është se Bashkimi Evropian ka kushtëzuar Serbinë në rrugën e integrimit evropian me kapitullin 35 ku nga Serbia kërkohet që të normalizoj marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe të zbatoj marrëveshjet e arritura. Një kushtëzim i tillë ka ardhur si rezultat i raporteve të besueshme zyrtare që Ministria e Dialogut ia ka paraqitur Bashkimi Evropian rregullisht që nga fillimi i dialogut më 2011, ku në hollësi ka njoftuar mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve dhe mos përmbushjen e obligimeve zbatuese nga ana e Serbisë.
Vlen të theksohet se procesi i dialogut është përballur me sfida të shumta si pasojë e qëndrimeve obstruksioniste të palës serbe. Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim që do të thotë se në njërën anë ajo zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj paralele në Kosovë, përfshirë edhe përpjekjet për destabilizim, siç është rasti i murit ilegal në Mitrovicë i shfaqur këtyre ditëve, në shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
Dialogu i Brukselit kakontribuar për avancimin e rrugës së Kosovës për integrimin evropian. Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në këtë vit, dhe realizoi dialogun e parë zyrtar me BE-në. Kjo ishte një arritje historike për Kosovën, si proces që filloi më 2011, vetëm pasi Kosova u angazhua në dialogun e Brukselit. Kosova sivjet vendosi lidhje zyrtare me NATO-në, që është dëshmi se shteti jonë vlerësohet si partnere serioze nga bashkësia ndërkombëtare. Po ashtu, Kosova mori kodin telefonik shtetëror ndërkombëtar nga ITU më 15 dhjetor të këtij viti, për të cilën aplikoi Austria, duke forcuar kështu shtetësinë e vet dhe pavarësinë ndërkombëtare në fushën e telekomit. Rëndësia ndërkombëtare lidhet edhe me faktin se për herë të parë një organizatë e OKB-së është në bashkëpunim zyrtar me shtetin tonë që shënon një fillim të ri në raportet zyrtare me OKB-në.