RCCOLA

Edhe vrasjet në Cërrnicë, Gadish e Vrapqiq nuk u hetuan kurrë nga organet e drejtësisë?

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Vrasjet në Cërrnicë, Gadish e Vrapqiq janë të evidentuara, dëshmuara dhe të deponuara në organet hetuese në Gjilan, por askush deri tani nuk e ka hapur një hetim zyrtar. Në fshatin Cërrnicë nga forcat serbe më 6 prill 1999 është vrarë Vehbi Miftari i lindur në Vrapqiq. Hajriz Miftari djali i Vebiut ka bërë përgjegjës të vrasjes së prindit të tij Mile Spasiqin nga Cërrnica dhe Trajko Steviq i quajtur me nofkën “Sava”. Isa Zeqiri dëshmitar nga Cërrnica thotë se organet e drejtësisë duhet të merren me vrasjet sepse kemi ofruar fakte, dëshmi e prova të cilat kurrë nuk janë hetuar nga prokurorët as shqiptar e as të huaj.

Vrasjet në Cërrnicë, Gadish e Vrapqiq janë të evidentuara, dëshmuara dhe të deponuara në organet hetuese në Gjilan, por askush deri tani nuk e ka hapur një hetim zyrtar, raporton rajonipress.

Isa Zeqiri thotë se është i befasuar që asnjë hetues apo prokuror shqiptar nuk i ka shikuar dosjet e tyre që janë dërguar menjëherë pas luftës.”Të gjitha deklaratat e dëshmitarëve janë të deponuara në Prokurorinë e Gjilanit dhe të gjitha provat janë aty, por askush nuk është marrë me këto dëshmi” shprehet Zeqiri.

Sipas Dosjes që është përpiluar nga një komision hetimor menjëherë pas luftës, e që i njëjti është i deponuar edhe në Prokurori, në fshatin Cërrnicë nga forcat serbe më 6 prill 1999 është vrarë Vehbi Miftari i lindur në Vrapqiq.

Hajriz Miftari djali i Vebiut ka bërë përgjegjës të vrasjes së prindit të tij Mile Spasiqin nga Cërrnica dhe Trajko Steviq i quajtur me nofkën “Sava”.

Vebih Miftari sipas djalit të tij Hajrizit është vrarë më 6 prill 1999 rreth orës 9 e 45 minuta në fshatin Cërrnicë. Vebiu po kalonte nëpër Cërrnicë pasiqë forcat serbe e kishin detyruar që ta lëshonte dhunshëm fshatin e tij të lindjes Vrapqiq.

Nga Trajko Steviq është urdhëruar që të mbështetet për muri Vehbi Miftari dhe i dyshuari i parë Mile Spasiq e godet me një plumb në syrin e djathtë. Për këtë vrasje madje kanë dëshmuar edhe Ali Miftari nga Vrapqiqi, Islam Islami nga Vrapqiqi, Goroljub Stojanoviqi nga Cërrnica.

Në dëshminë që ka dhënë Hajriz Miftari e ka përshkruar në hollësi tërë ngjarjen tragjike.”Më 6 prill 1999 erdhën paramilitarët serb të veshur me rroba lara-lara dhe kokën e kishin të lidhur me shami. Këta paramilitarë na urdhëruan që t`i bashkengjitemi kolonës së shumë banorëve, për të cilët na thanë se do ju dëbojmë në Shqipëri” ka rrëfyer Hajrizi.

Hajrizi ka saktësuar kontaktin që ka pasur babai i tij Vebiu me një serb të njohur emrin Mile Spasiq i cili atë kohë ishte drejtor i kooperativës bujqësore në Cërrnicë. “Ky serb i bëri me kokë Miles një tjetër paramilitarë që ta marrë babain tim, të cilin e kishin ekzekutuar pas gjysmë ore tek dyert e shtëpisë së mësuesit Nuhi Sherifit”.

Ky dëshmitar ka treguar edhe për plaçkitjet dhe maltretimet e shumta që i janë bërë fshatarëve, derisa ishin drejtuar me dhunë për në Shqipëri.

Më 15 prill 1999 në fshatin Vrapqiq në vendin e quajtur “Te ara e Jakupit” me paramendim serbi Zoran Antiq nga fshati Dragancë e Gjilanit ka privuar nga jeta Vedat Selimin.

Uji Dea

Vedati sipas dëshmitarëve Ramiz Selimi, Aziz Selimi, Hamide Selimi, që të gjithë nga Vrapqiqi është vrarë me snajper nga Zoran Antiqi i cili ishte i strehuar në vendin e quajtur “Quka” duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse studentit të Fakultetit Ekonomik Vedat Selimit.

Dëshmitarët kanë rrëfyer edhe për prezencën e Sllobodan Todoroviqit. Dëshmitari Aziz Selimi ka thënë se Zoran Antiqi me gojën e tij e ka pranuar se ka vrarë një shqiptarë tek vendi i quajtur “Te ara e Jakupit”.

Ky dëshmitarë gjithashtu e ka identifikuar paramilitarin serb Sllobodan Todoroviqin i cili në Vrapqiq kishte hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve duke i maltretuar gratë e fëmijët si dhe ka urdhëruar djegien e shtëpive.

Për dhunën që forcat serbe kanë ushtruar ndaj civilëve të pafajshëm në fshatin Cërrnicë kanë dëshmuar Isa Zeqiri, Fadil Bllaca, Shemsedin Arifi.

Dëshmitari Shemsedin Arifi ka qenë viktimë e maltretimeve nga ana e paramilitarëve dhe të serbëve lokal. Ai është rrahur keq, torturuar dhe ka parë me sytë e tij serbët Vasiq Sllobodan, Kosta Dimiq, Zorani-Zoki dhe Dragisha elektricisti.

Ky grup i paramilitareve ka maltretuar edhe kolonën e shqiptarëve të fshatit Budrikë.
Se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë përgatitur variantet e ndryshme të likuidimit tregon edhe vdekja e Emin Minush Eminit nga Vrapqiqi.

Emini sipas babait të tij Minush Eminit ka vdekur si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë nga shkelja në minat e montuara nga ushtria serbe. Emini ka vdekur më 28 qershor 1999 derisa po ruante bagëtinë tek vendi i quajtur “Llobure”, mes Cërrnicës dhe Vrapqiqit.

Babai Minushi ka bërë përgjegjës forcat serbe të cilat kanë vendosur mina të qëllimshme për të shkaktuar sa më shumë vdekje të civilëve. Emini ishte i bërë copë copë nga plasja e minës tha Minushi.

Më 15 prill 1999 në fshatin Gadish të Gjilanit është vrarë tek vendi i quajtur “Hija e Shtupit”, Nijazi Mustafë Osmani nga Gadishi.

Dëshmitarët e ngjarjes Fetije Shabani dhe Sali Osmani nga fshati Gadish e kanë bërë përgjegjës për vrasjen Miodrag Aleksiqin nga Kamenica ish polic në SPB e Gjilanit.

Sipas dëshmive Nijazi Osmani është zënë nga forcat ushtarake dhe i është ofruar një fotografi me disa pjesëtar të UÇK-së. Osmani nuk ka pranuar që të bëjë identifikimin e tyre dhe pasi është rrahur deri për vdekje nga Miodrag Aleksiqi edhe ekzekutohet./rajonipress/