Fundamenti

Edhe tradhtia ka emër

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Nga Faton Abdullahu – A e dini se në Kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë nuk ka asnjë përmendore të Adem Jasharit. Si është e mundur që pas më shumë se dy dekadash, askund në këtë qytet nuk mund të gjesh një shtatore dinjitoze, të lartë e të punuar mirë dhe në një hapësirë meritore diku në qendër të këtij qyteti. Krejt Kosova është e mbushur me shtatore buste e përmendore të ndryshme të Adem Jasharit, por jo edhe Prishtina. Pse ? Kjo është storie e gjatë që meriton një shkrim të veçan, por ky anashkalim djallëzor jo kollaj i hetueshëm nuk është i rastësishëm aspak. Këtë po e përmend si shembull për të kujtuar se kjo që po ndodh sot me UÇK-n dhe vlerat e saja është mendësi përjashtuese më e hershme, ajo nuk lindi sot, as nuk u përpunua tani shpejt e shpejt.

Dje përfundimisht me arrestimin e Presidentit të shtetit z. Thaçi, liderit opozitar dhe njeriut me ndikim në shumë procese z. Veseli dhe të tjerëve që ende nuk po dihet saktë se kush dhe sa janë, pas më shumë se dy dekadave UÇK është përjashtuar plotësisht nga institucionet e Kosovës, ku edhe ashtu ka qenë në to jo në mënyrë të plotë e meritore, sepse kjo çështje tek ne nuk është rregulluar as me ligj, as me Kushtetutë. Në të vërtetë UÇK sot është në opozitë, apo edhe më saktë, UÇK tashmë është kthyer në vlerë klandestine. Pse ? Kush i ka fajet për këtë ? A është kjo e drejtë dhe dështim meritor i saj, apo do të duhej të ishte krejt ndryshe e assesi ky devalvim në këtë përmase pas kaq vitesh.

Ka ca ditë, besoj e keni vërejtur se, disa aktivistë me qëllimin e mirë janë organizuar që në forma të ndryshme t’i promovojnë e mbrojnë vlerat e luftës me moton LIRIA KA EMËR. Në një farë mënyre kjo në të vërtetë e dëshmon se si ka ardhur puna që vlerat e luftës, vlerat e UÇK-së, të mos mbrohen sa e si duhet nga institucionet, nga shteti me ligj e me Kushtetutë por nga një iniciativë që më shumë të ngjanë në nismë qytetare apo ndonjë OJQ-je. Kjo dëshmon se UCK gjithnjë e më pak është vlerë shtetërore apo thënë ndryshe është vlerë në davaritje të vazhdueshme institucionale. E dikush,jo vetëm kohëve të fundit,dëshiron ta dëshmoj se bënë krejt edhe pa UÇK-n. Sa është kjo brengosëse aq është edhe tjetra, mos reagimi në përpjesëtim të drejtë moral e shtetndërtues i të gjithë neve në raport me degradimin dhe përçmimin e vlerave të luftës. Por kjo nuk është e rastësishme as që është krijuar si hezitim e zhgënjim ‘adhock’. Thjeshtë kjo ka ndodhur sepse, nëse liria në Kosovë ka emër dhe ajo është histori e përjetuar dhe e shkruar të cilën jo pak edhe e mbajmë mend, sepse ndodhi vetëm para dy dekadave, në anën tjetër nuk është kuptuar drejtë apo thënë ndryshe është shtrembëruar me qëllime të këqija se, në Kosovë EDHE TRADHTIA KA EMËR.

Për çfarë e kam fjalën konkretisht ?

UBT

Thënë përmbledhtazi, janë shumë zhvillime, fenomene e procese, ide njerëz, klane e individë të cilët në forma të ndryshme,drejtpërdrejtë apo tërthorazi, kanë bërë që sot kur dikush atakon vlerat e luftës, UÇK-n konkretisht,shan e ofendon në mënyrë përjashtuese bile edhe me arrogancë nuk nxit reagim si duhet apo ai është i vakët dhe i pa denjë. Si ka mundës? Ka mundësi sepse edhe tradhtia ka emër por as nuk është ndëshkuar as nuk është trajtuar ashtu si duhet.

Ka emër, por jo gjithmonë është ditur e keqja,e kur është ditur, nuk u ndesh ku edhe kjo e keqe është akumuluar për kohë të gjatë. Si mund të quhet ndryshe kjo e keqe, ta zëmë kur numri të veteranëve të UÇK-së, shtohet aq shumë, vetëm për të siguruar, me të dhëna falsë, pagë mujore. Tradhtia brina nuk ka. Në këtë mendësi dekadente, pa respekt për shtet për liri e për vlera të luftës,hynë hajnia, korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe gjithsesi mungesa e prirjes dhe e guximit e vetëdijes shtetndërtuese për t’i ndëshkuar ata. A nuk është edhe kjo tradhti më vete?

Në këtë dekadencë hyjnë gjithsesi edhe ata individë, klane e ide, të cilët asnjëherë nuk deshën t’i pranojnë vlerat e luftës, i mohuan ato vazhdimisht dhe kurrë nuk deshën të identifikohen me këto vlera fisnike të cilat qëndrojnë në themelet e pavarësisë së shtetit tonë. Këta janë tradhtar aktivë kundër shtetit të cilët pranojnë çdo gjë, por jo në asnjë mënyrë që emri i lirisë në Kosovë është lufta e UÇK-së. Kësaj tradhtie i bashkëngjiten edhe jugo-nostalgjik aktiv,që dikur ishin strukur e të cilët sot dyzohen dhe shumohen me majtistë të ri, të shpeshtën ekstremist,të cilët janë kundër vlerave të luftës sepse thjeshtë kurrë nuk u identifikuan me to duke menduar gjithnjë bile të bindur se dikur në Jugosllavi ishte më mirë se që është sot në Kosovë. Edhe kjo është tradhti.

Nuk janë larg prej këtu, por shumë më të bindur se kanë të drejtë edhe ata islamistë në Kosovë të cilët falsin shqip, por asgjë shqipe nuk ka në mendësinë e tyre e që asnjëherë nuk identifikohen me shqiptarizmën si vlerë e për rrjedhojë as me luftën e UÇK-së të cilën e shohin si të huaj e të ndihmuar nga qafirët. Në këtë listë sigurisht hyjnë edhe gjithë ato institucione, procese e faktor ndërkombëtarë që kurrë nuk e kuptuan si duhet se UÇK ishte dhe mbeti vlerë e qytetërimit perëndimor, se ajo për të mbetur e tillë nuk mund të zhveshët nga shqiptarizma por vetëm si e tillë mund dhe duhet të jetë pjesë e shtetit tonë. Thjeshtë thënë përmbledhtazi pas krejt këtyre ne kemi ardhur në pozitën kur nuk e kemi më forcën që si institucione, si shtet dhe si mendësi politike, kulturore dhe jo vetëm, t’i mbrojmë vlerat e luftës dhe UÇK-n. Prandaj jemi këtu ku jemi. Përkundër kësaj nuk duhet të dorëzohemi, përndryshe na përsëritet historia dhe duhet të marrim pushkën prapë në dorë. Para se ta bëjmë këtë, ne duhet menduar si ta kuptojmë të gjithë drejtë lirinë tonë, emrin e saj të vërtetë dhe t’i ndëshkojmë të gjithë ata që janë kundër kësaj lirie, që e devalvojnë atë, që e ndëshkojnë e ja mendojnë të keqen asaj. Ndoshta do të ishte mirë të fillojmë nga ndërtimi i një përmendore dinjitoze për Adem Jasharin në Prishtinë.