Edhe punëtorët gjilanas kërkojnë komision profesional hetimor

Gjilan – Në protestën e organizuar nga sindikatat e punëtorëve në Gjilan ku merrnin pjesë qindra veta u tha se Qeveria dhe Parlamenti duhet ta formojnë një komision profesional hetimor i cili do t`i rishikonte të gjitha kontratat e shitjes gjatë privatizimit. Punëtorët dhe përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar nga Gjykata Supreme e Kosovës që urgjentisht dhe me prioritet t`i zgjidhë lëndët e punëtorëve të Anamoravës.
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar të enjten qindra ish punëtor të ndërmarrjeve shoqërore në Anamoravë protestuan para teatrit të qytetit në shenjë pakënaqësie me AKP e cila ndonëse kanë kaluar mbi 13 vite ende asnjë ndërmarrje në Gjilan nuk është likuiduar dhe kështu mijëra punëtor kanë mbetur rrugëve dhe pa përkujdesjen e duhur sociale raporton rajonipress.
Aziz Azizi nga këshilli organizativ i BSPK në Gjilan tha se kjo protestë është rezultat i presionit të punëtorëve ndaj AKP-së, e cila me vite po i zhagit lëndët e ndërmarrjeve të Anamoravës.”Kanë kaluar më shumë se 10 vite dhe ne nuk po mund t`i realizojmë kërkesat tona. Nga ky tubim kërkojmë pagesën e pagave të pa paguara për vendet e humbura të punës, si rezultat i shpalljes sonë tepricë teknologjike. Gjithashtu kërkojmë nga AKP dhe Komisioni i Likuidimit zbatimin urgjent të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore”.
Si pikë tjetër Azizi ka kërkuar edhe përshpejtimin e dhënies së 20% të punëtorëve të cilëve kjo e drejtë u takon. Kurse nga Parlamenti është kërkuar të formojë fondin social si dhe nxjerrjen e një ligji me të cilën do të pensionohen punëtorët e mbetur pa punë në procesin e privatizimit të cilët janë mbi moshën 50 vjeçare.
Azizi në emër të punëtorëve ka kërkuar nga Parlamenti formimin e një komisioni profesional hetimor i cili do t`i rishikonte të gjitha kontratat e shitjes, derisa nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka kërkuar që urgjentisht dhe me prioritet t`i zgjidhin lëndët e punëtorëve.”Nëse kërkesat tona nuk zgjidhen dhe nuk realizohen me kohë atëherë do të vazhdojmë me protesta në tërë Kosovën” tha Azizi.
Në protestë folën edhe përfaqësuesit e “Agrokulturës”, ish Çelikut, “Morava e Binqës”, “Integj” e tj.
Ukshin Hajdini nga “Morava e Binqës” tha se në këtë ndërmarrje gjatë shitjes ka pasur vjedhje të shumta kurse punëtorët janë dëmtuar.
Edhe Ruzhdi Selimi nga ish Agrokultura tha se është e turpshme që në këtë kohë mijëra ish punëtor bredhin rrugëve dhe pa përkujdesjen e nevojshme sociale.
Protesta ka kalua e qetë dhe pa incidente./rajonipress/