Edhe pas tetë takimesh, LVV-LDK nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare për formimin e Qeverisë

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Që të dyja këto parti në legjislaturën e gjashtë ishin në opozitë, ndërsa menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LDK dhe LVV zhvilluan një takim drejt arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Në takimin i cili u mbajt mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit njëherazi kandidat për kryeministër nga kjo parti, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës dhe kandidates së LDK-së, për kryeministre, Vjosa Osmani, u bë e ditur se kanë vullnet që të qeverisin bashkë në të mirën e qytetarëve. Madje, nga ky takim nga të dyja palët u bë e ditur se kanë pajtueshmëri sa i përket zvogëlimit të numrit të ministrive dhe përfshirjes së grave në qeverisje, shkruan Telegrafi.

Pas takimit të krerëve të partive të premten, u zhvilluan edhe gjashtë takime mes dy partive, ku u krijuan grupet punues të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.

Takimi i parë (18.10.2019 )

Takimi i parë mes gupeve punuese u mbajt më 18 tetor. Në takimin e parë, grupi punues i Lëvizjes Vetëvendosje përbehej nga Besnik Bisilimi dhe Glauk Konjufca ndërsa në grupin punues të LDK-së, ishin Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti.

Në takimin e parë mes LVV-së dhe LDK-së, i cili zgjati rreth 2 orë u bë e ditur se dy grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes, transmeton Telegrafi.

Takimi i dytë (23.10.2019)
Pesë ditë pas takimit të parë, dy grupet punues zhvilluan edhe takimin e dytë, në të cilin është biseduar rreth formatit qeverisës, zhvillimit ekonomik , arsimit, shëndetësisë, rendit dhe ligjit dhe politikës së jashtme. Që të dyja partitë janë pajtuar që numri i ministrive të zvogëlohet në 11, dhe për çdo ministri të jenë nga dy zëvendësministra.

Takimi i tretë (28.10.2019)

Në takimin e tretë të grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së është biseduar rreth programit të ekonomisë. Pas takimit i cili zgjati afro tri orëve u bë e ditur se dy grupet janë dakorduar rreth 90 për qind për programin ekonomik. Ky takimi është mbajtur në selinë kryesore të LDK-së, transmeton Telegrafi.

Takimi i katërt (31.10.2019)

Takimi i katërt mes grupeve punese i cili u zhvillua në selinë kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është biseduar për sundimin e ligjit. Pas takimit u bë e ditur se nga të dyja partitë ka pajtueshmëri sa i përket drejtësisë.

Takimi i pestë (04.11.2019)

Pesë ditë pas mbajtjes së takimit të katërt , më 4 nëntor grupet punuese të LVV-së dhe LDK-së u takuan për të diskutuar rreth çështjes së arsimit, shkencës dhe kulturës.

Në takimin e pestë kanë marrë pjesë, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Xhavit Rexhaj dhe Izet Sadiku nga LDK, ndërsa nga LVV, Glauk Konjufca, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Abërie Nagavci edhe Jusuf Ulaj.

Pas përfundimit të takimit, nga LVV kanë bërë te ditur se ky ishte takimi ku ka pasur më së shumti pajtueshmëri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe që ky takim është zhvilluar në një atmosferë të thellë të bashkëpunimit, transmeton Telegrafi.

Takimi i gjashtë (07.11.2019)

Takimi i gjashtë ishte edhe takimi i fundit i cili u mbajt sa i përket pjesës programore. Pas përfundimit të takimit u bë e ditur se kanë arritur t’i përmbyllin të gjitha çështjet programore, dhe se në mënyrë të draftuar marrëveshja do të iu dorëzohet dy kryetarëve, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurtit LVV.

Takimi i liderëve Kurti-Mustafa (22.11.2019)

Pas përfundimit të takimeve të grupeve punuese, nga të dyja partitë paralajmëruan edhe takimin e radhës mes liderëve, Albin Kurtit (LVV) dhe Isa Mustafës (LDK). Takimi i dy liderëve u mbajt në njërin nga hotelet në Prishtinë, pasditen e së premtes, 22 nëntor. Pas një orë takim, Mustafa dhe Kurti theksuan para mediave se në takim kanë biseduar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, teksa shtuan se marrëveshja mes dy partive do të arrihet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Të dy liderët theksuan se deri tani nuk kanë biseduar për ndarjen e ministrive e as për poste.

Vlen të përmendet se në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 220 mijë e 811 vota apo 26,159% kurse LDK 206 mijë e 458 vota apo 23,458%./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS