RCCOLA

Edhe një vit i turpshëm për drejtësinë kosovare

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Drejtësia po përdor standarde të dyfishta, gjykatat dhe prokuroritë trafikojnë drejtësi, qytetarët e pafajshëm e pësojnë, peshqit e mëdhenj shpëtojnë. Kosova mbetet vend i mafiopolitikanëve, të cilët dirigjojnë edhe sistemin e drejtësisë.

Sundimi i ligjit, në krizë të thellë.

Drejtësia po përdor standarde të dyfishta, gjykatat dhe prokuroritë trafikojnë drejtësi, qytetarët e pafajshëm e pësojnë, peshqit e mëdhenj shpëtojnë. Kosova mbetet vend i mafiopolitikanëve, të cilët dirigjojnë edhe sistemin e drejtësisë,raporton Gazeta Kosova Sot

Uji Dea

Ashtu sikurse viteve të mëhershme, që nga paslufta e tutje që nuk pati ndonjë përmirësim në drejtësi, njësoj edhe ky vit që po e lëmë pas (2016), nuk mund të veçohet apo karakterizohet me ndonjë të arritur apo sukses të prekshëm dhe premtues në fushën e drejtësisë. Por, më shumë do të mbahet mend si një vit me përplot afera dhe skandale e dështime të njëpasnjëshme, por edhe për akuza ndaj krerëve të Gjyqësorit dhe prokurorisë, për korrupsion e abuzim me pozitën e tyre zyrtare, derisa në anën tjetër as misioni evropian për sundimin të ligjit, EULEX, të cilit iu vazhdua mandati edhe për dy vite të tjera, nuk mund të mbahet mend për ndonjë kontribut pozitiv në këtë aspekt. Gjyqësia dhe Prokuroria, por edhe institucionet e tjera të fushës së drejtësisë vazhdojnë të jenë më tepër në funksion të grupeve të caktuara të politikës dhe parapolitikës, por edhe nxitëse të padrejtësive e aferave të ndryshme, sesa që ta luajnë rolin e tyre të përcaktuar me ligj, por edhe me Kushtetutën e vendit.

400 mijë lëndë të pazgjidhura Grumbullimi ndër vite i mbi 400 mijë lëndëve nëpër gjykatat e vendit, sipas disa të dhënave të bëra publike nga shoqëria civile, vazhdojnë të mbesin të tilla dhe ta pazgjidhura, derisa për rrjedhojë një gjendje e tillë ka krijuar në vazhdimësi edhe dyshime tek opinioni kosovar, për mundësinë e keqpërdorimit të atyre lëndëve, pasi të njëjtat mund të vjetërsohen, parashkruhen por edhe të zhduken fizikisht. Ndaj analistët përkitazi me këtë çështje kishin thënë se mbase ky është edhe njëri nga problemet që shkakton edhe zhgënjim tek qytetarët, për shkak se zvarritet procedura, gjegjësisht kohëzgjatja e realizimit të drejtave të tyre, dhe në të njëjtën kohë humbet besimi nga ana e tyre, ngase nuk kanë më besim se aty jo vetëm që mund të mos vendoset profesionalisht dhe vendoset padrejtësisht, ose edhe nën ndikimin e ryshfetit dhe korrupsionit, por edhe mund të ndikohet në zvarritje ose moszvarritje varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet e caktuara gjyqësore. Ndërsa për tejkalimin e kësaj situate, krerët e gjykatave gjithnjë kanë kërkuar staf shtesë, përfshirë gjyqtarë, por edhe bashkëpunëtorë profesionalë, derisa analistët dhe njohësit e kësaj fushe kanë sugjeruar se kryetarët e gjykatave, pra përgjegjësit e tyre do duhej gjithsesi që me një sistem tashmë të aplikuar, secilën lëndë që vjen në ditën e caktuar për t’u trajtuar e njëjta të ketë trajtim të barabartë dhe të caktohet menjëherë sipas rendit dhe datës së ardhjes dhe jo sipas lidhjeve apo interesave, që mund të kenë njerëzit e caktuar për t’i përshpejtuar rastet e tyre nëpër gjykata.

Peshqit e mëdhenj shpëtojnë edhe sivjet Drejtësia kosovare ka dështuar totalisht edhe në vitin 2016, në hetimin dhe gjykimin e të ashtuquajturve “Peshqve të mëdhenj”, respektivisht të zyrtarëve të lartë të shtetit. Kjo pasi as këtë vit nuk ka pasur asnjë thuajse “Peshk të madh” që është dënuar me një dënim të plotfuqishëm për veprat penale të krimit të organizuar ose të korrupsionit. Rikujtojmë se në një përgjigje të mëhershme për gazetën “Kosova Sot” Arton Demhasaj, nga organizata, “Çohu”, kishte deklaruar se në këtë drejtim ka pasur raste të të ashtuquajturve “Peshqve të mëdhenj”, të cilat janë iniciuar, por edhe spektakle të arrestimit të tyre, por që në fund siç kishte thënë ai rastet e tilla ose janë parashkruar apo thjesht janë shpallur të pafajshëm, për shkak se Prokuroria ka dështuar që të argumentojë dhe bindë fajësinë e tyre. Por, mendime të ngjashme kishin shfaqur në vazhdimësi edhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kishin alarmuar se rrjeti i këtyre personave është shumë i gjerë, derisa për të pasur aktgjykime konkrete ata patën thënë se fillimisht drejtësia duhet të ketë guximin, kurajën dhe përgjegjshmërinë për t’i gjykuar të korruptuarit e kalibrit të lartë, dhe kapotë e krimit të organizuar, për të dëshmuar kësisoj se në këtë vend po funksionon sistemi i drejtësisë dhe shteti ligjor./kosova sot/