Mobi Casa

Edhe një takim i pasuksesshëm në Bruksel, s’ka marrëveshje për dinarin

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, shtoi Petkoviq.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me Petkoviqin dhe Bislimin.

Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

Paralajmërohet takim i ri

Takimi i sotëm ishte i katërti në kohët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i pesti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel. Të gjitha kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviq bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një rund tjetër bisedimesh.

Uji Dea

Ndërsa, Bislimi tha se palës kosovare nga Brukseli i është thënë “ky takim të jetë takimi i fundit”.

Bislimi shtoi se “duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, ne kemi insistuar që takimi të organizohet vetëm nëse palët dërgojnë propozimet e tyre deri të hënën dhe nëse Lajçak konstaton se propopozimet janë në linjë me idenë e tij”.

Lajçak kishte thënë ditë më parë se në takimin e kësaj së enjte synohej gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rundi i kaluar i bisedime për këtë çështje mes Bislimit dhe Petkoviqit, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill.

Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kishin “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës. Ndërkaq, Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Ky takim në Bruksel u mbajt një ditë pasi tensionet mes dy shteteve u rritën sërish, teksa Kosova akuzoi Serbinë se bllokoi në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë autobusë me udhëtarë nga Kosova dhe ndaloi disa zyrtarë policorë – shqiptarë e serbë – në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Prishtina tha se bllokimi i qytetarëve në territorin serb u bë për shkak të votës pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, organizatë ku shteti synon të anëtarësohet. /REL/