RCCOLA

Edhe një projekt i rëndësishëm fillon në Gjilan, ndërtimi i rrugës Dobërqan – Pogragjë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Ka filluar ndërtimi i rrugës Dobërqan – Pogragjë, njëri nga projektet e rëndësishme të komunës së Gjilanit pas rrugës Stublinë – Dobërqan. Vlera e projektit është 620.515.13 euro kurse financues është Ministria e Infrastrukturës.

Rruga Pogragjë – Dobërqan po bëhet realitet dhe tani pas rrugës Stublinë – Dobërqan edhe përmes kësaj rruge parashihet të lidhen shumë fshatra kufitare.

Kompania e nënkontraktuar tashmë ka nisur punimet dhe puna po shkon sipas dinamikës së paraparë. Parashihet që rruga të përfundojë me kohë edhe pse për vitin 2020 janë ndarë vetëm 200 mijë euro.

Komuna e Gjilanit nuk merr pjesë në participim me pagesa, por vetëm i udhëheq procedurat. Rruga Pogragjë – Dobërqan ka një rëndësi të veçantë për banorët e këtyre dy fshatrave, por edhe për fshatrat Llovcë, Bilinicë, Kokaj, Sllubicë të cilat mund ta shfrytëzojnë këtë arterie për të shkuar në Kamenicë e Bujanoc.

Fundamenti

Bedriu një banor nga Pogragja thotë se kjo rrugë është jetësore për familjen e tij. “Jam tepër i gëzuar kur po i shoh makinerinë duke punuar sepse arat e mija janë pikërisht në këtë aks rrugor dhe e kemi hjekur të zitë e ullirit për shkak të rrugës së dëmtuar” shprehet Bedriu.

Ndërkohë po vazhdojnë punimet në rrugën Stublinë – Dobërqan e cila pothuajse është e kryer me punimet e vrazhda, tanimë janë duke u kryer dy ura që e lidhin këtë aks rrugor.

Rexhep Kadriu i cili është më meritori që këto dy rrugë kanë hyrë në buxhetin e Qeverisë së Kosovës thotë se është i lumtur që këto dy rrugë po ndërtohen. “Qeveria Haradinaj prioritet i ka pasur fshatrat e brezit kufitar dhe ky investim e ka pikërisht këtë qëllim dhe synim, që ta ndalë shpërnguljen dhe ta gjallërojë jetën atje” u shpreh Kadriu. /rajonipress/