Edhe në Viti ikja e qytetarëve paraqitet me të dhëna shqetësuese
Viti – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, ka zhvilluar mbledhjen e parë për këtë vit në të cilën është shqyrtuar plani i punës i KKSB për vitin 2015 si dhe është diskutuar për çështjen e sigurisë në komunën e Vitisë. Anëtarët e KKSB paraqitën shqetësime të komunitetit siç është ikja ilegale e qytetarëve nga vendi, problemi i dëmtimit të rrugëve rajonale, vjedhjet etj.
Lidhur me hartimin e planit të punës së këtij këshilli, drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë Nexhmedin Jakupi, ka theksuar se harmonizimi i objektivave dhe përgatitja e këtij plani është bërë në bashkëpunim me policinë e Kosovës.
Ai bëri të ditur në kuadër të këtij plani, janë paraparë 18 objektiva, por që ai mund të begatohet edhe propozime e sugjerime të tjera.
Ndërsa Ibrahim Sefedini nga OJQ “Elita”, ka përmendur aktivitetin e nisur nga kjo organizatë në ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve në parandalimin e dukurisë së prerjeve ilegale të pyjeve.
Ai tha se ky aktivitet ka filluar në tetor të vitit të kaluar dhe se në kuadër të këtij projekti parashihen edhe fushata të ndryshme sensibilizuese.
Ndërsa për gjendjen e sigurisë në komunën e Vitisë, zv. komandanti i stacionit policor Fatos Latifi ka njoftuar se gjatë muajit janar janë raportuar 52 raste të ndryshme, apo në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë raportuar 9 raste më pak.
Ai ka folur edhe për efektin që mund ta arrijnë zyrat e policisë nëpër lokalitete, ku do të mund të shërbenin qytetarët me informacione për sigurinë e përgjithshme.
Anëtarët e KKSB paraqitën shqetësime të komunitetit siç është ikja ilegale e qytetarëve nga vendi, problemi i dëmtimit të rrugëve rajonale, vjedhjet etj. /rajonipress/


