Edhe në Tavannes të Kantonit të Bernës, hapet një shkollë shqipe

“Gjuha ruhet aty ku shkruhet” – fjalë e urtë popullore . Pas disa takimeve me prindërit sot (e enjte) me datën 21 Janar 2021 Shkolla Shqipe në Tavannes të Kantonit të Bernës hapi dyert për fëmijët shqiptarë. Vlen të theksohet se deri më tani fëmijët shqiptarë nuk kanë pasur rastin ta mësojnë gjuhën shqipe në mungesë të organizimit apo thënë shkurt në mungesë të shkollës shqipe.

Kjo përpjekje kulmoi me sukses dhe klasa frymoi shqip. Nuk kishte gëzim më të madh për prindërit e këtyre fëmijëve posa i shkonin të uleshin në bankat shkollore me librat në gjuhën shqipe.

Gëzimi, buzëqeshja ishin pjesë e orës mësimore në Tavannes të Kantonit të Bernit. Koordinatori i Shkollave Shqipe në Zvicër z. Vaxhid Sejdiu dhe mësuesja Jona Xhemajli arritën në pak ditë të hapin edhe shkollën e radhës. Nxënësit, tani më të shkollës shqipe: Rajani, Iliani, Melina, Rejana, Loriku, Dea, Eliza, Dionisi, Erioni Blendi, Rajani, Loriku dhe të tjerët ishin të lumtur që kishin arritur të ulen në bankat shkollore për të mësuar gjuhën amtare.

Mësuesja Jona Xhemajli, në fillim u njoftua me nxënësit dhe filloi t`iu shpjegoj për detyrat e para në kuadër të shkollës shqipe. Shumë prej tyre kishin telashe me shkronjat e gjuhës shqipe dhe ajo që duhet ishte mësimi sa më shpejt i shkronjave dyshe të alfabetit shqip, me qëllim që të fillohet me një fillim të mbarë të orëve mësimore në të ardhmen.

Dhe ky paralajmërim është lajmi më i mirë që mund të jepet për komunitetin shqiptar në këtë pjesë të Kantonit të Bernit. /Albinfo.ch/

Edhe në Tavannes të Kantonit të Bernës, hapet një shkollë shqipe

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS