Edhe në Kllokot funksionojnë strukturat paralele

Gjilan – Institucionet paralele që veprojnë në Kllokot nuk njohin dokumentet e lëshuara për qytetarë nga ana e institucioneve të Kosovës. Kjo gjë ua pamundëson qytetarëve marrjen e shërbimeve, veçmas në objektet shëndetësore. Ky dualizëm në qeverisje vazhdon të shkaktojë huti tek qytetarët dhe shpesh herë mosmarrëveshje mes tyre.
Në bazë të një hulumtimi të DEMI/USAID, 68 % e qytetarëve të kësaj komune janë shprehur të kënaqur me Kryetarin e Komunës, përderisa vetëm 36% e tyre janë shprehur të kënaqur me punën e organeve komunale, raporton rajonipress.
Ajo çka mbetet shqetësuese sipas GAP-it në Komunën e Kllokotit është prezenca e strukturave paralele. “Komuna nuk ka arritur t’i largojë strukturat paralele të Serbisë që ofrojnë shërbime administrative dhe teknike qytetarëve në këtë lokalitet. I tërë sistemi shëndetësor dhe ai arsimor në këtë komunë kontrollohet nga ana e strukturave paralele. Këto institucione paralele nuk njohin dokumentet e lëshuara për qytetarë nga ana e institucioneve të Kosovës. Kjo gjë ua pamundëson qytetarëve marrjen e shërbimeve, veçmas në objektet shëndetësore. Ky dualizëm në qeverisje vazhdon të shkaktojë huti tek qytetarët dhe shpesh herë mosmarrëveshje mes tyre” thuhet në raport.
Raporti jep edhe vërejtjet e shumta që e përcjellin këtë komunë të re. “Objektet shkollore pa kanalizim dhe ujë të pijes. Shkollat e Komunës së Kllokotit ballafaqohen me mungesë të lidhjes së tyre me shërbimin e ujësjellësit dhe kanalizimit, mungesa këto që i bëjnë objektet shkollore të mos kenë nivelin e duhur të mirëmbajtjes dhe higjienës. Kësisoj, shkolla fillore “Ratko Markoviq” në fshatin Verbovc nuk ka kanalizim. Ndërsa shkolla “Xhon Sereqi” në fshatin Mogillë nuk ka ujësjellës dhe ngjashëm qëndron edhe shkolla “Sveti Sava” në Kllokot. Por, përveç shkollave, probleme me ujë dhe kanalizim kanë edhe disa fshatra. Kësisoj, fshati Verbovc nuk ka sistem të rregulluar të kanalizimeve, ndërsa pjesa më e madhe e fshatit Mogillë nuk ka sistem të ujësjellësit. Në bazë të disa hulumtimeve, 51% e qytetarëve të Kllokotit janë të pakënaqur me qasjen e objekteve të tyre në rrjetin e kanalizimit” sqaron raporti.
Problem tketër në Kllkot paraitet vërshimi nga lumi “Morava e Binçes”. “Dëmet që u shkaktohen banorëve të Komunës së Kllokotit si pasojë e vërshimeve nga lumi “Morava e Binçes” konsiderohen të mëdha, sidomos në fshatin Mogillë dhe në vetë qytezën e Kllokotit. Dëme u shkaktohen edhe nëpër shtëpi të banimit, por veçmas në tokat bujqësore të fshatit Mogillë”.
Gjithashtu mos funksionimi i ndriçimit publik mbetet shqeëtsuese.“Komuna e Kllokotit, duke përfshirë edhe fshatrat e kësaj ane kanë të instaluar ndriçimin publik, por KEK-u, deri tani, e ka ndërprerë ndriçimin publik disa herë, shkaku i mos pagesës së energjisë së shpenzuar nga ana e komunës. Në fund të vitit 2012, kjo komunë i ka borxh ndërmarrjeve publike afro 50.000 euro, ku mbi 60% e këtij borxhi është ndaj KEK-ut”.
Shqetësuese mbetet edhe shkalla e vogël e të hyrave komunale. “Autoritetet lokale në Kllokot e kanë të pamundur të bëjnë investime të mëdha në lokalitetet e kësaj ane, për shkak të të hyrave të ulëta vetanake. Gjatë 2012, kjo komunë ka realizuar të hyra në vlerë prej 74.000 euro. Nga ana tjetër, komuna akoma nuk ka nisur me procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit të objekteve private si dhe nuk janë regjistruar të hyra nga përkthimi apo regjistrimi i pronave bujqësore. Përveç kësaj, komuna nuk ka nisur akoma të marr tatime nga bizneset private që funksionojnë në këtë komunë. Mungesa e këtij konsolidimi të brendshëm duhet evitohet me qëllim të rritjes së të hyrave dhe zgjerimin e mundësisë për investime” sqarohet tutje në raport./rajonipress/