Edhe në Kamenicë mbahet takimi informues për grantet për biznese

Kamenicë – Nën organizimin e Drejtorisë së Ekonomisë, Zhvillimit dhe Diasporës, sot në Kamenicë u mbajt takimi informues për Skemën e granteve për bizneset, projekt i Komisionit Evropian i jetësuar nga ADRDA/ AZhR Lindje. Në këtë takim morën pjesë mbi 100 të interesuar dhe u dhanë sqarime të nevojshme për mënyrën e aplikimit dhe llojet e granteve.
Drejtoresha e AZhR – Lindje Valbona Tahiri ka falënderuar Komunën e Kamenicës, Kryetarin Sinani, Nënkryetarin Matoshi dhe në veçanti Drejtoreshën e Ekonomisë Ferdane Rrudhani për bashkëpunimin e mirëfilltë në organizmin e këtij takimi.
“Inkurajojmë të gjitha bizneset e në veçanti të rinjët që të konkurrojnë me projekt idetë e veta. 63% e të rinjëve të Kosovës janë të papunë dhe ky projekt është në vazhdën e përpjekjeve tona për të krijuar vende të reja të punës. Unë ju sigurojë se përzgjedhja do të jetë tejet profesionale dhe do të financohen projektet më të mira.” ka thënë drejtoresha Valbona Tahiri.
Kryetari Begzad Sinani, ka falënderuar AZhR – Lindje për këtë mundësi të dhënë bizneseve të Kamenicës.” Edhe në të kaluarën kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me AZhR – Lindje, dhe këto ditë po përmbyllim një nga projektet më kapitale që është Shkolla e Roganës. Kjo mundësi që sot po u jepet bizneseve të Kamenicës duhet të shfrytëzohet sidomos nga të rinjët dhe gjinia femërore, dhe ne si komunë do të mbështesim këtë projekt në kapacitetet dhe mundësitë tona. Ne po mundohemi që me partnerët tanë të krijojmë mundësi për bizneset tona, së shpejti do të fillojmë edhe me një projekt të ri me Austriakët në sferën e bujqësisë” tha kryetari Sinani.
Prezantimin e skemës së granteve e bëri zyrtari i AZhR Lindje Tansel Sherifi, i cili i njoftoi në detaje të pranishmit për llojet e granteve dhe afatet për aplikim. Gjithashtu u njoftua se pas këtij takimi do të organizohen punëtori në të cilat do të trajnohen bizneset për të aplikuar në këtë fond.
Fondi i përgjithshëm i kësaj thirrje është një milion euro, ndërsa afati i fundit për aplikim është 15 mars 2016. Në fund pati edhe disa pyetje e komente nga të pranishmit./rajonipress/