KKGJILAN

Edhe “Livadhet e Arapit” me plan rregullues e urbanistik

/ 3 minuta lexim

Gjilan- Naser Sylejmani në cilësinë e komisionit mbikëqyrës të planit rregullues për këtë lagje tha se me këtë plan synojmë të krijojmë qëndrueshmëri implementuese , meqë zona është shumë pak e ndërtueshme dhe është me interes strategjik për komunën.

Qytetarë, pushtetar e hartues planesh të enjten kane diskutuar për planin rregullues dhe hartues të zonës së njohur si “Livadhe e Arapit”. Naser Sylejmani i cili është pjesë e komisionit mbikëqyrës për këtë zonë tha para qytetarëve dhe të interesuarve tjerë se me këtë plan synojmë të krijojmë qëndrueshmëri për implementimin e tyre për një periudhë të gjatë. “Kjo zonë është shumë pak e ndërtueshme dhe realisht është me interes për komunën , meqë nëpër këtë zonë kalon lumi “Mirusha” dhe “Stanishorka” tha Sylejmani.

Sylejmani tha se qytetarët e kësaj zone do të kenë mundësi që për 30 ditë të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në mënyrë që pastaj bashkërisht të inkorporojmë ato në planin hartues përfundimtar. Sipas tij zona “Livadhet e Arapit” ka rreth 106 hektar tokë dhe aty parashihet ndërtimi i një shkolle fillore, një çerdhe, terrene sportive, një park publik etj.

Sylejmani megjithatë tha se ende mbetet e paqartë definimi i pronës publike i cili realisht edhe do të mbetet si problem edhe për eksproprijimet e mëvonshme.

Mobi Casa

Detaje tjera rreth planit ka paraqitur hartuesi i projekt planit Ilir Gjinolli nga “Urban Plus”. Qytetarët e pranishëm ndërkaq kanë dhënë vërejtje nga më të ndryshmet.

Kështu Abdyl Aliu qytetar nga kjo zonë tha se plani është në kundërshtim me interesat tona si pronarë të ngastrave tash për tash nëse nuk ndryshon në këtë 30 ditësh sa zgjatë diskutimi. Aliu tha se kushtet e rregullimit nuk janë në raport me gjendjen tonë, janë kushte të mira për Australi apo dikund tjetër ku ka mjaft tokë për kokë banori, ne jemi të varfër në këtë aspekt mendon Aliu.

Sipas Aliut nuk është planifikuar shfrytëzimi i resursit ajër, sepse me këtë planifikim shumë shpejt kemi me harxhua tokën, pastaj çka do të mbetet për gjeneratat e ardhshme, duhet pastaj me ble tokë në Serbi e Maqedoni ka ironizuar Aliu. /rajonipress/