Edhe “Lëvizja Vatra” synon fitoren

Gjilan – Anëtari i kryesisë Gani Shaqiri ka thënë se “Lëvizja Vatra” insiston në mbrojtjen e interesave të komunave të Anamoravës dhe ngritjen e tyre ekonomike duke i këmbyer përvojat në zhvillimin e gjithëmbarshëm të këtij regjioni që është lënë pas dore nga të gjithë.
Shaqiri ka thënë se shembull tipik kemi rrugën regjionale Gjilan – Prishtinë që kalohet brenda një ore, ndërsa Prishtine – Tiranë 3 orë, pra shihet qartë se në komunat e Anamoraves nuk është investuar. “Ne synojmë fitore, e assesi vetëm pjesëmarrje, dhe me këtë formacion dhe këtë vullnet që po e shoh këtu ne do arrijmë të jemi fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit” ka shtuar Shaqiri.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Fatmir Arifi tha se programi i Vatrës do të jetë urë lidhëse mes komunave të Kosovës Lindore dhe Gjilanit në sferën e kulturës, arsimit, ekonomisë etj. “Ne nuk do të ndalemi vetëm me këto zgjedhje, por do vazhdojmë me rrugëtimin tonë për sensibilizimin e opinionit kombëtarë e ndërkombëtar me problemet e pazgjidhura të Luginës së Preshevës” ka thënë Arifi.
Ndryshe këto komente Shaqiri e Arifi i kanë bërë gjatë takimit që kryesia e Lëvizjes Vatra ka pasur me kandidatët për këshilltarë komunal nga lista e Lëvizës Vatra në Gjilan të udhëhequr nga Sejdullah Kadriu kryetar./rajonipress/