Edhe Kamenica kushtëzon qytetarët

Me shumicë votash, Kuvendi i Kamenicës mori tw mërkurën vendim që t’i kushtëzoj qytetarët për disa shërbime komunale me pagesën e borxheve ndaj Ujësjellësit dhe kompanisë së mbeturinave.
Kryetari i komunës, Shaip Surdulli, deklaroi se qytetarët duhet të paguajnë për shërbimet që iu kryhen dhe sipas tij, kushtëzimi me dokumenta është një prej formave për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve publike dhe ofrimit të shërbimeve më të mira për ta.
Këshilltari i AAK-së, Fatmir Krasniqi, i cili ishte kundër këtij vendimi, theksoi se me këtë kushtëzim, organi më i lartë i komunës që do të duhej t’i mbronte interesat e qytetarëve, e ka shkelur ligjin në mënyrën më të keqe të mundshme. Të kushtëzohet qytetari me dokumenta për një shërbim që nuk i ofrohet, tha më tej Krasniqi, është veprimi më i palogjikshëm në historinë e këtij organi.
Edhe Enver Morina, këshilltar i PDK-së ishte kundër këtij vendimi. “Këto kompani është dashtë që në forma të tjera të shlyejnë borxhet. Qytetari ballafaqohet me probleme elementare. Mungon uji i pijshëm në pjesën më të madhe të ditës dhe ka vonesa të mëdha në heqjen e mbeturinave. Pa i vendos në binarë këto gjëra, ne nuk guxojmë t’i kushtëzojmë qytetarët”, theksoi ai.
Me 12 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kamenicës, sikurse me faturat e tatimit në pronë, tash edhe me faturat për ujë e mbeturina, vendosi t’i kushtëzoj qytetarët në kryerjen e disa shërbimeve. Udhëheqësi i Kompanisë “Higjiena”, Isuf Rrudhani dhe ai i “Hidromoravës”, Afrim Mujaj, vlerësuan se me këtë vendim të Kuvendit, qytetarëve do t’iu rritet kualiteti i shërbimeve dhe do të ulet borxhi ndaj kompanive./radiopremiera/