Eko Higjiena

Edhe aleatët edhe Kushtetuta, Osmani: Nuk mundet Kosova të ketë asnjë sukses pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerëve

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një deklaratë për media ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe kritikat që i janë bërë Kosovës për jokonstruktivitet në këtë dialog.

Osmani tha se dialogun më së shumti e ka dëmtuar mungesa e balancit dhe e ekuilibrit ku njëra palë, Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, ndërkaq Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme.

Megjithatë, siç njofton Telegrafi, presidentja tha se në suaza më të gjera i inkurajon të gjitha institucionet dhe politikanët t’i ruajnë raportet me miqtë.

“…Por, në suaza më të gjera të relacioneve me miqtë tanë, unë i i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëj çmos që këto relacione, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, shtetet e BE-së t’i konsiderojnë jo vetëm të rëndësishme, por ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë…”, u shpreh presidentja.

E para e shtetit tha më tutje se Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar e zhvilluar, por nuk duhet të harrohet që kemi probleme të mëdha të sigurisë.

“Në kufi kemi një shtet që çdo ditë synon agresion ndaj Kosovës, që çdo ditë synon gllabërimin e territorit tonë, që çdo ditë synon edhe sot 25 vite pas luftës vrasjen e qytetarëve tanë…. Në këto sfida nga duhen partnerët tanë, aleatët tanë jo vetëm si shenjë falënderimi që e kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion se çfarë na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vet, në fakt asnjë shtet në botë nuk mund të ecë para vet”, u shpreh Osmani.

UBT

Ajo përmendi edhe fjali të presidentit amerikan, Joe Biden dhe sekretarit Antony Blinken për rëndësinë e partneritetit dhe aleancave.

“Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës… në çdo fjalim të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken do ta vëreni një narrativë ‘ne duam të punojmë së bashku me partnerët dhe aleatët tanë.

Dhe kur kjo është e vërtetë për superfuqinë botërore, Amerikën, është miliona herë më shumë e vërtetë për një shtet si Republika e Kosovës”, tha ajo.

Osmani më tej theksoi se nëse duan që shteti të ketë suksese në rrugën përpara atëherë duhet të bëhet me aleatët.

“Nuk mundet Kosova të ketë asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleatëve…Pra, edhe Kushtetuta edhe aleatët, nuk e përjashtojnë këto njëra-tjetrën”, tha e para e shtetit. /Telegrafi/