UBT

Edhe 25 milionë, rrush e kumbulla në PTK, para privatizimit

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Njohës të rrethanave ekonomike në vend, por edhe deputetë nga pozita e opozita, e kanë cilësuar skandaloz vendimin e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që t’i japë 25 milionë euro kredi, para të popullit, PTK-së për ta nxjerrë nga kriza dhe më pas për ta privatizuar.

Badallaj: Populli i Kosovës duhet ta ketë të qartë se vendi drejtohet nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale

“Vërtet është e habitshme se si,vallë, mund të jepen 25 milionë, kur ende nuk ka kryeshef ekzekutiv për ta udhëhequr punën në PTK. Pra, deri kur PTK-ja, e cila është në prag të falimentimit, për shkak se ia fali për këto 10 vjet mbi 110 milionë euro ‘Z-Mobile’-it të Devollëve, pastaj dhjetëra e qindra- miliona euro tenderëve, punësimeve pa asnjë kriter e pa asnjë nevojë, për vende pune, do të vazhdojë të zhvatet, si nga politika e inkriminuar po ashtu edhe nga politika brenda PTK-së”, thotë analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave ekonomike në vend, por edhe deputetë nga pozita e opozita, e kanë cilësuar skandaloz vendimin e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që t’i japë 25 milionë euro kredi, para të popullit, PTK-së për ta nxjerrë nga kriza dhe më pas për ta privatizuar.

Nga njohësit e kësaj fushe po shtrohet pyetja se deri kur do të vazhdohet që të vidhet në PTK dhe në të njëjtën kohë prokuroria të mbyllë sytë?! Sipas tyre, me të drejtë thuhet se Kosova po rrezikon që të humbë përsëri edhe 25 miliona euro të tjera për PTK-në e kriminalizuar deri në fyt. Kjo, ngase po vlerësohet se edhe kjo shumë 25 milionëshe është një kredi zhvatjeje dhe keqpërdorim i buxhetit të Kosovës.

Prandaj, sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, është skandaloze që të investohen 25 milionë euro e më pas të privatizohet PTK-ja, kur dihet se Qeveria ka nisur procedurat e privatizimit, për t`ia falur ndonjë prej mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët i kanë fshehur paratë nëpër parajsat fiskale. Sipas tyre, mbetet një enigmë se çka do të thonë në PTK, se a do t’i bëjnë rrush e kumbulla edhe këto 25 milionë euro, duke i keqpërdorur për interesa private të udhëheqësve të saj. Analistët pyesin se si mund të jepen edhe 25 milionë euro, kur ende nuk ka kryeshef ekzekutiv për të udhëhequr, gjegjësisht, siç thuhet nga analistët, për ta falimentuar, siç kanë bërë të gjithë drejtorët e deritanishëm në PTK.

PTK-ja, erdhi në prag të falimentimit pikërisht për shkak se ia fali për këto 10 vjet mbi 110 milionë euro “ Z- Mobile”, të Devollëve, pastaj keqpërdorimeve të dhjetëra e qindra-milionave, tenderëve njëburimorë, punësimeve pa asnjë kriter e pa asnjë nevojë për vende të reja të punës, do të vazhdojë që të zhvatet si nga politika e inkriminuar si dhe nga të deleguarit e politikës brenda PTK-së. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të MZHE-së dhe PTK-së,si dhe Blerim Devollit, zyrtarët e tyre nuk janë përgjigjur për gazetën.

Dyshime të mëdha

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Arban Abrashi (LDK), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vendimi i Qeverisë “Haradinaj” për ta ndihmuar me 25 milionë euro PTK-në është dashur që të bazohet në një studim të fizibilitetit të saj se në cilët sektorë duhet investuar dhe një vendim i tillë i papritshëm e befasues jep dyshime se mund të ketë keqpërdorime të këtyre mjeteve që nuk janë pak.

“Unë nuk mund të them se do të ketë keqpërdorime, por mënyra se si u dha ky lajm në opinion lë vend për dyshime të mëdha dhe kjo lë vend për dyshime të keqpërdorimeve të këtyre parave. Ngase, unë mendoj se ka qenë dashur që të ndihmohet Telekomi, por jo në mënyrën se si është bërë nga kjo Qeveri pa e bërë paraprakisht studimin e fizibilitetit”, u shpreh ai.

Prapaskenat mafio-politike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Ali Lajçi , për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ky veprim i Qeverisë “Haradinaj” është një tentim për ta shpëtuar Telekomin nga keqmenaxhimi dhe nuk paraqet ndonjë siguri se do të ketë sanim elementar të Telekomit që tash ndodhet buzë shkatërrimit dhe falimentimit. “Por, ky është një tentim dhe një infuzion në prag të privatizimit të saj dhe procedurave nëpër të cilat duhet të kalojë, pra njëfarë mbijetese që nuk e zgjedh problemin. Ndërkohë që, privatizimi i saj po trumbetohet si i pashmangshëm për arsye se gjendja ka shkuar aq larg, saqë kjo kompani nuk mund që të rimëkëmbet”, u shpreh ai.

“Krahasojeni Telekomin në vitin 2005, kur kjo kompani i ka dhënë buxhetit të shtetit mbi 250 milionë euro atë vit, e ku ka ardhur tash që duhet të presë ndihmën e Qeverisë . Prandaj, kjo kompania ka qenë dashur që të ruhet si aset kombëtar dhe që të investohet në të, e jo që të vijë në një situatë para falimentimit, në mënyrë që të jetë e qëndrueshme”, vlerësoi Lajçi. Sipas tij, e tëra kjo prapaskenë me Telekomin është bërë qëllimisht, sepse nuk ka qenë asnjë filozofi e madhe sa për të ditur se doemos duhet investuar në Telekom dhe mbajtja e saj është e domosdoshme.

KKVITI

“Kur e them këtë, bazohem në faktin se rrjeti i Telekomit ka qenë i hapur dhe kudo i shtrirë me gjithçka që duhet dhe madje është shfrytëzuar rrjeti i saj duke përfituar në llogari të teknologjisë së saj, sepse dikush ia futi në shtëpi kompaninë ‘Z-Mobile’ të Devollëve dhe e sollën në këtë gjendje qëllimisht, duke i humbur klientët e duke e sjellë para falimentimit, ndërsa prokuroria po hesht e po bën sehir ”, potencoi ai.

Vendim skandaloz

Ndërsa, deputeti i koalicionit qeverisës në Kuvendin e Kosovës Milaim Zeka , për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk e ka dëgjuar këtë vendim të Qeverisë “Haradinaj”. “Por, nëse është sjellë një vendimi tillë për mua është një vendim shokant. Kjo, ngase Postës dhe Telekomit nuk do t’ia kisha dhënë asnjë cent. Prandaj, unë konsideroj se nëse është e vërtetë kjo, ky është një vendim skandaloz ”, u shpreh ai.

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se shkurt e shqip, populli i Kosovës duhet ta ketë të qartë se vendi është në duart dhe drejtohet nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, nga rrjeti më mafioz në Ballkan dhe nga bandat që Kosovën e konsiderojnë si plaçkë pazari, sallamadi dhe që nuk e respektojnë as ligjin dhe as shtetin, ngase ky grup i organizuar mafioz janë shkatërrimtarët më goditës të ekonomisë së vendit dhe që e keqpërdorin paranë e taksapaguesve pa pikë mëshire dhe po e bëjnë rrush e kumbulla.

“Nuk dua t’i numëroj një nga një se sa e si e keqpërdoren paranë publike këto banda mafioze oligarkike, por të mos ndalesh së keqpërdoruri djersën e popullit kjo është tepër skandaloze dhe tani të japësh sërish paranë tonë dhe atë jo më pak se 25 milionë euro për PTK-në, kinse për ta nxjerrë nga kriza, kjo është vetëm për “No- comment”, u shpreh ai.

Bandat në pushtet

“Në fakt, kjo mos mendoni se nuk është e paplanifikuar, kjo ka të bëjë qëllimisht që më vonë pas falimentimit ky gjigant të bjerë në dorë të hajnave, në dorën e bandave, në dorën mafioze të këtyre mafio-oligarkëve, pra banditët fshihen pas këtij plani mafioz. Përse nuk kuptohet një gjë se shteti nuk ka Qeveri që punon për interesa të qytetarëve të saj dhe shtetit, por punon për interesa të tyre personale që janë bërë supermilionerë dhe për interesa të bandave mafio-oligarkësh, që mbajeni mend se nesër pikërisht këto banda më mafioze do ta gëlltitin këtë dhe nesër do hiqen shpëtimtarë, kurse në fakt këta banditë shkuar banditëve që hedhin punëtorët në rrugë do ta ndajnë pazarin e pistë bashkë.

Edhe një gjë shumë të rëndësishme, populli nuk duhet harruar se çdo qeveri i thënçin janë të lidhur me kancerin e shkatërrimit të ekonomisë së vendit, me bandën serbiane e shkatërrimtare të shpirtit të Kosovës, e që quhet banda Devolli, hajnat më të mëdhenj të Ballkanit, që është me procedurë penale, që ka kaluar kufijtë e vendit. Por, e keqja është se banda serbiane Devolli mbështet fuqishëm nga kryebanda shtetërore dhe memecët dhe qyqarët e sistemit të kalbur gjyqësor”, u shpreh Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Edhe një zhvatje masive

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se nuk ka asnjë dyshim se është tejet skandaloze se përse Qeveria, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik t’i japë 25 milionë euro kredi, për PTK-në, me synimin gjoja për ta nxjerrë nga kriza dhe për ta privatizuar. “Ndaj, këtu duhet pyetur se deri kur do të vazhdohet të vidhet në PTK dhe prokuroria t’i mbyllë sytë. Kjo, ngase shuma prej 25 milionësh nuk është gjë tjetër, por është edhe një kredi tjetër e zhvatjes dhe keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës.

Prandaj, në aspektin ekonomik kjo çfarë po veprohet është sigurisht skandaloze që të investohen 25 milionë e më pas që të privatizohet PTK-ja, kur dihet se Qeveria ka nisur procedurat e privatizimit, për t’ia falur ndonjërit prej mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët i kanë fshehur paratë nëpër parajsa fiskale. Prandaj, nuk kam asnjë dyshim se edhe këto 25 milionë do t’i bëjnë rrush e kumbulla, duke i keqpërdorur për interesa personale të udhëheqësve të saj”, u shpreh Aliu.

(Kosova Sot