UBT

Edhe 2019-ta në izolim dhe mjerim

/ 16 minuta lexim
Hidromorava

Analistët politik dhe qytetarët po e akuzojnë gjithë lidershipin politik të Kosovës për dështimin edhe në këtë vit që Kosova ta fiton liberalizimin e vizave. Është një vlerësim i përgjithshëm se akoma po vazhdon të mbetet pikërisht mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar faktori kryesor që ndikoi të bllokohet ky proces, gjë që u bë e qartë edhe nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, që të mos e vendosë në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën edhe në takimin e radhës.

Guraziu: Kosova po e mbyll edhe vitin 2018 pa liberalizim të vizave,për shkak të mosluftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar

“Mafio-oligarkët janë ata që notojnë mbi ligjin e drejtësinë, të cilët diktojnë edhe nëntokën e mbitokën e vendit. Drejtësia e kapur, policia e diktuar, ekonomia nën kontroll të plotë mafioze e kriminale, kanë bërë që pushtetarët e Kosovës të ngelin në klasë, të izolojnë qytetarët e vendit, në kontekst të të cilit hapen tema të mëdha për kufijtë, pajtime historike me armikun shekullor etj. Tema të cilat janë vetëm ikje nga përgjegjësia dhe krijimi i mjegullave e paqartësive afatgjata për vendin”, thotë analisti Ramiz Bojaj për “Kosova Sot”

Analistët politik dhe qytetarët po e akuzojnë gjithë lidershipin politik të Kosovës për dështimin edhe në këtë vit që Kosova ta fiton liberalizimin e vizave. Është një vlerësim i përgjithshëm se akoma po vazhdon të mbetet pikërisht mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar faktori kryesor që ndikoi të bllokohet ky proces, gjë që u bë e qartë edhe nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, që të mos e vendosë në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën edhe në takimin e radhës.

Analistët konsiderojnë se edhe raporti i fundit i Parlamentit Evropian ishte një grusht tjetër i rëndë për politikën e inkriminuar qeverisëse të Kosovës, ngase po ky raport e vërteton se në Kosovë nuk funksionon lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe se niveli i korrupsionit është akoma në rritje. Prandaj,sipas analistëve, pasojat dihet kush i vuan, do të vazhdojë të vuajë populli, tërësisht i shkelur dhe i mbyllur në geto, pikërisht për shkak se në Kosovë nuk sundon ligji, nuk luftohen krimi i organizuar dhe korrupsioni e mafio-oligarkët e politikës dhe të bizneseve të pista na bashkësundojnë. Një fakt të tillë e pohon edhe analisti Florim Zeqa. “Raporti i fundit i Parlamentit Evropian ishte një grusht tjetër i rëndë për politikën e inkriminuar qeverisëse të Kosovës”, ka potencuar ai për “Kosova sot”.

Sipas tij, dualizimi i veprimeve të pushtetarëve dhe mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar bënë që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian as që të mos e vendos në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën. “Raporti i fundit i prezantuar në Parlament Evropian e vërtetoi se në Kosovë nuk funksionon lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe se niveli i korrupsionit është akoma në rritje të vazhdueshme”, vlerëson Zeqa. 2018-ta, vit i regresit të thellë Analisti politik Ramiz Bojaj tha për “Kosova Sot” se edhe ky vit që po e lëmë pas do të mbahet mend për humbje dhe regres. “Viti 2018 shënon një mori dështimesh për Kosovën. Si në politikën e jashtme, diplomaci, ashtu edhe në planin e brendshëm, krimi, korrupsioni në rritje, sundimi i ligjit etj. Pushteti i inkriminuar, duke keqpërdorur të gjithë resorët e shtetit, ka bllokuar progresin e Kosovës, zhvillimin ekonomik, integrimin, liberalizimin etj. Dështimi i liberalizimit të vizave, dështimi i anëtarësimit në UNESCO, dështimi në INTERPOL, dështimi në lobim… kanë bërë që Republika jonë të shënojë një vit të dështimit total, rrënues e regresiv. Kosova jo vetëm që nuk arriti asnjë sukses të dukshëm, por mori shumë goditje të rënda. Çnjohja e pavarësisë së Kosovës është kulmi i këtij regresi, i cili vjen si pasojë e politikave miope. Andaj jemi shoqëria më e varfër e më e izoluar në Evropë, gjithnjë me pushtetarët më të pasur. Ky është sinjal shqetësues, cili duhet t’i mobilizojë pushtetarët e Kosovës”, u shpreh ai.”Por, goditjen më të rëndë shteti ynë e ka nga politikanët e retarduar, të cilët kontestuan kufijtë e vet shtetëror duke lënduar edhe proceset tjera, siç janë: procesi i njohjeve të reja, anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, liberalizimi i vizave, UNESCO, INTERPOL etj. Në këtë kontekst Kosova shënoi një “time out”, për shkak se oligarkët e saj mashtrues, zhvatës e gënjeshtarë, janë në krye të vendit, të cilët mbeten rreziku më i madh për shtetin e ri. Çoroditja më e madhe e diplomacisë së Kosovës është shënuar nga iniciativa e presidentit Hashim Thaçi rreth bisedimeve ‘historike’ me Serbinë, duke kontestuar të gjitha të arriturat e gjertanishme të vendit tonë, është integritetin territorial e sovranitetin, duke krijuar huti e paqartësi tek komuniteti ndërkombëtar. Pas kësaj iniciative rrënuese, Kosova humbi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe thelloi edhe më shumë vetizolimin. Integrimi i vendit fillon nga brenda, kryerja e detyrave të shtëpisë, plotësimi i standardeve, jo nga ambasadorët, delegacionet, vizitat, takimet etj., edhe ashtu aspak serioze e përplot skandale. Pikërisht mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë bërë që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian të mos e vendosë Kosovën në agjendën e liberalizimit të vizave. Në këtë kontekst, raporti i fundit i Parlamentit Evropian është një tjetër grusht i rëndë për politikën e inkriminuar qeverisëse të Kosovës. Krimi e korrupsioni, zhvatja e parasë publike në mënyrë krejt barbare, duke i shtuar edhe përplasjet Qeveri-Presidencë, ka bërë që të dukemi qesharakë dhe ‘foshnjorë’ për BE-në, por edhe për miqtë tanë, përkrahësit më të denjë të shtetit të Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot”.

Sipas analistit Bojaj, një pushtet, i cili nuk ka sens e as vullnet për luftimin e këtyre dukurive shëmtuese, atëherë hap tema e teza të reja, të cilat harxhojnë shumë kohë, energji e para për asgjë. Qytetarët fajësojnë politikën gënjeshtare Qytetari Arsim Ahmeti mendon se derisa shumë vende të tjera para Kosovës kanë pasur më pak kushte për liberalizimin e vizave dhe nuk i kanë plotësuar të gjitha pikë për pikë, por lëvizjen e lirë e kanë fituar, atëherë tek rasti i Kosovës një përgjegjësi të madhe për këtë bllokim e ka politika që ka dështuar në kriterin kryesor, luftimin e krimit e korrupsionit, por një ndikim sipas tij e ka pasur edhe lobimi serb në BE kundër Kosovës për të mos e fituar as liberalizimin e vizave, sikur që ndikoi edhe në INTERPOL.”Një pjesë të fajeve i kanë institucionet e Kosovës, por duhet ta dimë që faji nuk është vetëm te ne, por edhe te disa vende të BE-së. Nëse Kosova i paska përmbushur 95% të kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave, duke fituar edhe vlerësimin pozitiv, atëherë nuk është e drejtë që ky proces të bllokohet, sepse ka pasur më herët raste me vende të tjera, të cilave u është pranuar liberalizimi i vizave edhe me vetëm 50% të kritereve të përmbushura. Unë mendoj se këtu Evropa e ka një pjesë të fajit, sepse po bie edhe nën ndikimin e disa shteteve që janë mike të Serbisë, kështu që diplomacia serbe po ndikon edhe në këtë proces përtej angazhimit të diplomacisë së Kosovës, që sigurisht është më i dobët në raport me lotimin serb kundër Kosovës”, u shpreh ai.

Qytetari tjetër, Shpejtim Kelmendi, është i sigurt që përgjegjësia kryesore bie tek kasta politike që po e qeveris vendin. “Jam më se i bindur që këta vetë, që janë në krye të qeverisjes së vendit, nuk po duan dhe nuk po bëjnë asgjë për këtë shtet, këta realisht vetëm e kanë uzurpuar shtetin, sipas mendimit tim, dhe nuk janë të interesuar seriozisht as për liberalizimin e vizave. Madje këta e kanë qëllimin që të mos ndodhë liberalizimi i vizave, sepse sikur të hiqen vizat të rinjtë do të iknin shumica jashtë vendit, e këta po duan që sa të munden t’i shfrytëzojnë të rinjtë dhe t’i mbajnë peng si skllevër duke u shërbyer interesave për pasurimin e tyre, duke punuar për bizneset e tyre më pagat minimale që mezi e sigurojnë ekzistencën, e të mos flasim për kushte të tjera, shkollim e standard më të mirë jetësor. Angazhimi i tyre për liberalizimin e vizave, sipas mendimit tim, është vetëm një gënjeshtër para qytetarit që nuk ua njeh mirë të kaluarën, sepse këta veç po na rrejnë për vite të tëra dhe nuk po punojnë seriozisht në atë drejtim”, vlerëson ai. Sipas Kelmendit, na e premtuan INTERPOLIN dhe dështuan, na e kanë premtuar liberalizimin dhe nuk ka gjë prej gjëje.”Këta janë mashtruesit dhe gënjeshtarët më të mëdhenj që kanë rajoni dhe Evropa”, potencoi ai, duke akuzuar politikanët se janë të korruptuar dhe të shantazhuar.

ZEQA: NËNSHTRIM DHE IZOLIM

Uji Dea

“Derisa të vjen në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional, për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare, të gjitha dëshirat dhe shpresat e qytetarëve do të mbesin vetëm iluzione. Populli i nëpërkëmbur, tërësisht i shkelur dhe i mbyllur në geto, do të vazhdojë të vuajë pikërisht për shkak se në Kosovë nuk sundon ligji, nuk luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni i mafio-oligarkëve të politikës dhe të bizneseve të pista që bashkësundojnë popullatën e nënshtruar! Po ndodh pikërisht kështu për shkak se populli i varfëruar është lodhur skajshmërisht, saqë nuk po gjen forca as të dalë të protestojë kundër regjimit të egër çnjerëzor i pushtetarëve aktualë,…duke e mbyllur edhe vitin 2018, të mbyllur edhe një vit në geto, si të vetmit që presim ende me orë, ditë, javë e muaj të tërë para dyerve të ambasadave perëndimore. Derisa të sundojnë antivlerat dhe mafio-oligarkia kriminale, qytetarët do të mbeten pa asnjë perspektivë dhe përderisa gënjeshtrat e pushtetarëve zgjasin getoizimin e qytetarëve, do të vazhdojë zbrazja në heshtje e Kosovës nga popullata e pashpresë për jetë në vendin e vet”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

BADALLAJ: SHTETI ËSHTË I KAPUR NGA RRJETI MAFIO-OLIGARKIK I KANALEVE TË NËNTOKËS

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se ai edhe personalisht nuk e ka pritur ndonjë zhvillim pozitiv, gjë që e dëshmon në shkrimet e mëparshme për këtë arsye: “Sepse shteti është i kapur mjerisht nga bandat, vagabondët dhe rrjeti mafiooligark i kanaleve të nëntokës dhe se nuk ka mundësi të luftohet korrupsioni kur pikërisht të korruptuarit janë në majat e shtetit, që nga Presidenca, Qeveria hajnash, Kuvendi me plot rrugaçë dhe bandat politike. A e dini kur luftohet korrupsioni dhe ka sukses shteti? Atëherë kur shteti udhëhiqet nga njerëzit me duar të pastra, përndryshe si mund të luftohet kur shteti udhëhiqet nga banditët më të rrezikshëm jo vetëm në Ballkan, por në tërë Evropën. Merreni me mend sesa e sa banditi është me vepra penale, me afera dhe skandale dhe në vend se të burgosen, ose të paktën këta banditë e shkuar banditëve nuk japin dorëheqje, këta akoma vazhdojnë të rrinë në qeveri dhe në vendet kyçe të shtetit dhe pra si mund të luftohet korrupsioni. Këta banditë e shkuar banditëve e kanë mashtruar qëllimisht popullin, fillimisht se do bëhet liberalizimi për Bajram, për Krishtlindje, për nevruz, dhe kështu ishte propaganda mashtruese e këtyre banditëve, sa për të mashtruar popullin; ndërkaq banditët për veti dhe familjarët e kësaj kopeje banditësh janë të gjithë me viza dhe bredhin tërë botën pa kurrfarë problemi”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

GURAZIU: KORRUPSIONI ËSHTË AKOMA NË RRITJE!

Sipas analistit politik Ragip Guraziu, derisa krerët e shtetit e kanë pasur të ditur se nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret, e sidomos atë për sundimin e ligjit, që ka qenë kulimi i kritereve të kërkuara nga BE-ja, nuk është dashur ta mashtrojnë e ta gënjejnë qytetarin e lodhur dhe të varfëruar në pritje para ambasadave të huaja.”Ne po e mbyllim edhe vitin 2018 pa viza dhe me katastrofa politike ekonomike. Pra, po e mbyll Kosova edhe vitin 2018 pa liberalizim të vizave dhe kjo dihet për cilin shkak, për shkakun kryesor që lidhet me mosluftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, ishte kjo pikë dështimi, e cila bëri që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian as të mos e vendos në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne kemi dëgjuar edhe raportin kritik që u diskutua në Parlamentin Evropian, e që ishte një grusht tjetër i rëndë për politikën e inkriminuar qeverisëse të Kosovës, sepse e vërtetoi edhe raporti që është prezantuar në Parlament Evropian, se në Kosovë nuk funksionon lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe se niveli i korrupsionit është akoma në rritje”, tha Guraziu për “Kosova Sot”. Florim Zeqa

BISLIMI: DËSHTIM NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT TË PROFILIT TË LARTË

Sipas politologes Liridona Bislimi, përkundër që është premtuar që sa kohë që vizat do të hiqen shumë shpejt, një gjë e tillë ende nuk po ndodh.”Përderisa, pushtetarët ishin të bindur se Demarkacioni do të dërgohet në fillim të vitit në Kuvend dhe jemi afër liberalizimit të vizave, Kosova nuk i ka punët mirë me kriterin e dytë. Kosova i ka humbur pothuajse të gjitha gjasat që ta fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE) gjatë këtij viti, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucioneve vendore se ende ka shpresë që lëvizja e lirë në zonën Schengen të ndodhë në fund të muajit të ardhshëm, dhjetor.

Vetë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë konferencës së fund vitit të Këshillit Prokurorial, ka thënë se në vitin që lamë pas nuk ka pasur rezultate të kënaqshme sa i përket korrupsionit”, potencon ajo. “Kosova është i vetmi vend i Ballkanit, që merret si rajon më problematik krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, qytetarët e së cilës e kanë të kufizuar skajshmërisht lirinë e lëvizjes dhe janë futur në enklavë në kohën kur disa shtete të rajonit nuk qëndrojnë aspak më mirë në përmbushjen e kushteve të kërkuara dhe, përkundër kësaj, për vite të tëra lëvizin lirisht në shtetet evropiane. Liria e lëvizjes është e drejtë elementare e njeriut, vlerë demokratike, e cila afirmohet dhe mbrohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara , Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kushtetutat e shteteve përkatëse, në rastin konkret Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Fillimisht ishte UNMIK-u (që edhe sot me letra është vendimmarrësi nr. 1 në Kosovë) e pastaj UNMIK-u i EULEX-izuar kanë pasur përgjegjësi kryesore në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë, luftës kundër narkotikëve dhe trafikimit, e sidomos luftës kundër atyre që janë dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, vijoi më tej Bislimi.”Për çdo sukses që ka ndodhur në vendin tonë gjatë takimeve me temë për liberalizimin e vizave meritat kanë shkuar në adresë të Brukselit, kurse për çdo dështim përgjegjësia është adresuar tek institucionet e Kosovës, përkatësisht te liderët, të cilët thuajse në asnjë rast nuk janë zgjedhur pa bekimin e ndërkombëtarëve, sikur që asnjë koalicion qeverisës, edhe ky i fundit, nuk është bërë pa pëlqimin dhe kundër vullnetit të faktorit ndërkombëtar. Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka liberalizim të vizave, sërish do të ketë probleme për afat të pacaktuar për faktin se Kosova për ta pasur liberalizimin e vizave duhet ta luftojë korrupsionin, e luftimi i korrupsionit do të thotë luftimi i liderëve politikë, pra Hashim Thaçi ta luftojë Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin, Kadri Veseli t’i luftojë Haradinajn dhe Thaçin dhe Haradinaj t’i luftojë Thaçin dhe Veselin. Pra, secili ta luftojë secilin, kurse këta kush t’i luftojë, një drejtësi që është në shërbim të politikës. Prandaj, mbetemi ende skeptikë që do të ketë liberalizim të vizave për një kohë të gjatë nëse vazhdojmë të gjendemi në këtë situatë tani për tani”, tha Liridona Bislimi për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.