“Ecohigjiena” storie e suksesit në Kosovë dhe dëshmi e mirë e PPP

Gjilan – Senad Ramaj, anëtar i Bordit i “Ecohigjiena”, Bajram Isufi drejtor ekzekutiv dhe Burim Kastrati zyrtar financiar në këtë kompani kanë bashkëbiseduar me përfaqësuesit e lagjeve në qytet dhe me qytetarët rreth suksesit, sfidave dhe të arriturave që ka pasur kjo kompani gjatë vitit 2013. Senad Rama tha se Ecohigjiena është storie e suksesit jo vetëm në Anamoravë, por në tërë Kosovën.
Në një debat që ka organizuar Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me përfaqësuesit e kompanisë Ecohigjiena dhe përfaqësuesve të lagjeve në qytet u tha se Ecohigjiena ka bërë një punë të palodhshme, të pamohueshme dhe të përgjegjshme për të pasur në Gjilan një qytet të pastër dhe ambientalist.
Senad Ramaj anëtar i Bordit në Ecohigjiena tha se më 2009 “Moser Group” nga Austria ka bërë një prezantim dhe pas një shoshitje të mirë, pas një projekti në lagjen “Dardania” dhe pas gjashtë muajsh punë dhe shumë aktivitete u realizua marrëveshja që për 15 vite të shkojnë në projekt publik-privat. “Në kompani u bënë ndryshime dhe tashti shihen rezultate, ngase qyteti është i pastër, është përmirësuar e ndryshuar pamja e qytetit, stafi është i përgatitur dhe partneriteti publik-privat u dëshmua i suksesshëm. Ulëm periudhën kohore për inkasim, përmirësojmë të dhënat, raportet jo të mira në të kaluarën u përmirësuan”, ka thënë Ramaj.
Por Ramaj tha se përkundër sukseseve evidente kanë pasur dhe vazhdojnë të përballen me problemet e inkasimit. “Ne futëm punëtorë të rinj në kompani e do të punësojmë edhe punëtorë të tjerë me të vetmin qëllim që shërbimet tona të jenë efikas, të shpejta dhe profesionale”, ka thënë Senad Ramaj.
Ramaj tha se e ardhmja e Kompanisë do të fokusohet në vetëdijesimin e qytetareve, në fushën e inkasimit, në fushën e investimeve dhe në çështjet e riciklimit.
Bajram Isufi, drejtor ekzekutiv i Kompanisë “Ecohigjiena”, tha se kanë 141 punëtorë dhe primare e kanë grumbullimin e mbeturinave dhe bartjen e tyre, por edhe menaxhimin e pastërtisë në qytet, varreza, treg e gjetiu.
Ai tha se janë në një gjendje më të mirë se më herët, me objekt më të ri dhe me kushte më të mirë të punës.
Isufi tha se partneri ka investuar mbi 500 mijë euro, ka trajnuar punëtorët në Gjermani, brenda kompanisë dhe se e gjithë kjo është bërë falë angazhimit të menagjmentit. “Na duhet mbështetje institucionale e nga qytetarët që të vazhdojmë që edhe në të ardhmen të shpallemi më të mirët”, ka thënë Bajram Isufi, që shtoi se sfiduese mbetet çështja e inkasimit.
Isufi tha se edhe pse janë mirë financiarisht megjithatë ende ka borxhe nga bizneset e mëdha ku nga 3200 prej tyre , 1200 fare nuk janë në sistem. “Na duhet një mbështetje institucionale për të përballur këtë situatë dhe për të pasur një inkasim më të lehtë” tha Isufi.
Nexhat Bllaca, qytetar, dhe përfaqësues nga Lagja e tetë tha se grumbullimi i mbeturinave është i rregullt, por problem paraqesin kontejnerët e mëdhenj, derisa Hasan Sadriu, nga rruga e “Ferizajt”, tha se janë të kënaqur me shërbimet e “Ecohigjienës”.
Fadil Gashi, banor te banesat kolektive kërkoi rritjen e numrit të kontejnerëve, apo edhe grumbullimin më të shpeshtë të mbeturinave, derisa Demir Krasniqi, kërkoi që të ketë dënime më të mëdha ndaj atyre që nuk e mbajnë pastërtinë.
Sipas Muharrem Bajramit, nga lagja “Dardania” kjo kompani po bënë punë të mirë e Shaban Terziu nga lagja e qendrës kërkoi të dijë më shumë rreth riciklimit, për vetëdijesimin e qytetarëve, planet strategjike dhe çështje të tjera me rëndësi.
Jonuz Hasani, nga lagja e Velekincës, foli për kundërmimet në këtë lagje, si pasojë e deponisë që është shumë afër. Edhe ai theksoi nevojën për më shumë kontejnerë.
Qytetarët e pranishëm kanë folur pozitivisht për punën e kompanisë kurse Burim Kastrati zyrtar financiar tha se aktualisht kemi një inkasim prej 62% derisa ka përmendur lagjet “Dheu i Bardhë”, “Dardania” ku inkasimi shkon në mbi 85%.
Kastrati tha se megjithatë rreth 18% e shërbimeve të Ecohigjienës bëhet pa pagesë për ata që nuk i kryejnë shërbimet dhe 10% shkon pa pagesë për invalidët edhe rastet sociale. Sipas tij amvisëria prinë me borxhet më të shumta ndaj kësaj kompanie.
Në debat kanë folur edhe Haxhi Qerimi nga përfaqësia në Viti i cili tha se dhe në këtë qytet është përmirësuar ana financiare derisa Naser Ibrahimi nga njësia në Novobërdë tha se edhe në këtë qytet po vetëdijesohen qytetarët./rajonipress/