“Ecohigjiena” dhe Komuna synojnë një qytet të shëndoshë e të pastër
Gjilan – Kompania “Ecohigjiena” e cila ishte pjesë e partneritetit publiko privat me kompaninë austriake “Moser Group” nga Austria ka shpërndarë të dielën 814 kontejner të rinj të 240 litrave dhe 100 kontejner të mëdhenj të 1100 litrave. Zyrtarët komunal thanë se po synojnë që Gjilanin ta bëjnë qytetin më të pastër në Kosovë.
Kompania “Ecohigjiena” e ka nisur turrin e investimeve në Gjilan ashtu siç edhe janë paraparë në marrëveshjen e nënshkruar në kuadër të Partneritetit Publiko – Privat ndërmjet Kryetarit të komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa dhe udhëheqësit i kompanisë “Moser Group” nga Austria, Christian Moser.
“Ecohigjiena” ka shpërndarë të dielën 814 kontejner të rinj të 240 litrave dhe 100 kontejner të mëdhenj të 1100 litrave. Zyrtarët komunal thanë se po synojnë që Gjilanin ta bëjnë qytetin më të pastër në Kosovë. Ndryshe sipas zyrtareve komunal kjo është faza e parë derisa shumë shpejt pritet të shpërndahen edhe 2000 kontejner të rinj për lagjen “Dheu i Bardhë” duke vazhduar pastaj edhe me lagjet e tjera të qytetit.
Riad Rashiti nga drejtoria për zhvillim ekonomik tha për rajonipress se ky investim ka për qëllim që Gjilanin ta bëjë qytet evropian, të pastër dhe të shëndoshë. “Tani mbeturinat do të mirëmbahen si duhet sepse janë krijuar edhe kushtet, por normalisht që duhet edhe një bashkëpunim i qytetarëve të cilët duhet të kenë kujdes dhe t`i ruajnë ato” tha Rashiti.
Edhe Jonuz Cana nga Partia Ekologjike shpërndarjen e kontejnerëve e sheh si një hap shumë pozitiv meqë mbeturinat tani mund të izolohen dhe dërgohen në vendet e duhura. Megjithatë Cana vërejtjen më të madhe e ka tek qytetarët. “Qytetarët duhet t`i ruajnë këta kontejner dhe t`i mirëmbajnë sepse në disa raste ato po keqpërdoren dhe po vidhen” tha ai.
Ndryshe “Ecohigjiena” sipas Riad Rashitit pritet shumë shpejt edhe të dali në objektin e ri . Ndryshe Partneriteti Publiko-Privat ishte nënshkruar për një periudhë 15 vjeçare, në mes të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Higjiena” dhe Kompanisë austriake “Moser Group”, ku sipas marrëveshjes parashihen investime prej 1.5 milion euro për një periudhë 30 mujore për mbledhjen e mbeturinave, pastërtinë e qytetit, shpërndarje të kontinjerëve në gjithë hapësirën e Komunës, me ambicien që të shkohet në trajtim të atyre komponentëve për riciklim gjatë një të ardhme të afërt.
Bashkimi i këtyre dy kompanive do të operoj brenda kësaj periudhe me emrin “Ecohigjiena”. Sipas marrëveshjes kompania “Moser Group” ka 51 % të aksioneve ndërsa KRM “Higjiena” (aksionet e tri komunave) do të ketë 49 %.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa pati thënë se i gjithë ky proces ka qenë i hapur, nga nisja e negociatave, mbështetje nga ana e Kuvendit të Komunës, procesin e shpalljes nga ana e Prokurimit, dhe gjithçka ka qenë e detajuar deri në fund dhe për këtë i gjithë ky projekt neve na ka marrë këtë kohë kaq të gjatë mbi dy vjeçare.
Mustafa ka thënë se qëllim i kësaj marrëveshjeje është që të gjendet interes i përbashkët i të dy partnerëve, por interes edhe më i madh është ambienti dhe rregullimi i tij në Komunat tona nga ky rajon i lindjes. “Pretendojmë që mbeturina të mos jetë vetëm mbeturinë çfarë është sot në Kosovë dhe në Ballkan përgjithësisht, por mbeturina të shndërrohet në para për komunat tona dhe për partnerët në këtë kompani të përbashkët”. /rajonipress/