E vranë mikun pasi dyshonin se vodhi 380 mijë euro

Në Gjykatën e Qarkut në Prizren po mbahet gjykimi kundër vëllezërve Ismail e Hajdin Krasniqi, nën dyshimin për kryerje të veprës penale të vrasjes dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje. Në prill të sivjetmë, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, Ismali kishte privuar nga jeta Faik Bytyqin, me të cilin kishte lidhje miqësie, pasi dyshonte se ai ishte autor i vjedhjes së 380 mijë eurove nga shtëpia e tij.
I akuzuari Ismail Krasniqi, 43-vjeç, më 24 prill të këtij vitit, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje kishte privuar nga jeta Faik Bytyqin, nga fshati Denje, po nga kjo komunë, shkruan gazeta JNK.
Vrasjes i kishte paraprirë një mosmarrëveshjeje paraprake mes tani të akuzuarve dhe Fatmir e Nexhmedin Bytyqit, të afërm të tashmë të ndjerit Faik. Dy vëllezërit Krasniqi dyshonin se Faiku, me të cilin kishin lidhje miqësie, ua kishte vjedhur një shumë të madhe parash – rreth 380 mijë euro, nga shtëpia e tyre.
Fillimisht, Ismaili e kishte goditur me shuplakë në fytyrë Fatmirin. Më pas në vendngjarje kishte mbërritur Faiku, i cili me automjetin e tij, “Golf 2”, e godet Ismailin, me ç’rast këtij të fundit, nga brezi i bie pistoleta në tokë.
Ismaili e merr pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe pasi që Faiku e ndal automjetin gjuan disa here me armë të zjarrit në drejtim të tij, duke e qëlluar pesë herë.
Këto plagë të shumëfishta në organet vitale, si zemër, mushkëri dhe gjakderdhja e madhe, kanë qenë vdekjeprurëse për Faik Bytyqin. Vdekjen e tij në emergjencë e kanë konstatuar mjekët nga Spitali i Gjakovës.
Lidhur me këto veprim, të akuzuarin Ismail, Prokuroria e Qarkut në Prizren, e ngarkon me veprën penale të “Vrasjes”, për të cilën ligjvënësi ka paraparë dënimin deri në 20 vjet burgim.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, në kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Ndërsa i akuzuari tjetër, Hajdin Krasniqi, në ditën e njëjtë dhe në vendin e njëjtë, ka gjuajtur me pistoletën e markës “TT” me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit të Fatmir dhe Nexhmedin Bytyqit nga fshati Denjë. Më vonë, këtë pistoletë e ka fshehur dhe nuk e ka dorëzuar te personat zyrtarë.
Kësodore, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penal të “vringëllimit me armë zjarri”.
Të enjten ishte vazhdimi i shqyrtimit kryesor, me ç’rast ishin ftuar dhjetë dëshmitarë. Njëri prej tyre nuk u paraqit fare në gjykim edhe pse gjykata e kishte ftuar me ftesë të rregullt. Për mosprezencën e tij, ai nuk e kishte njoftuar fare gjykatën.
Ndërsa, nëntë dëshmitarët e tjerë, të propozuar nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, u dëgjuan para trupit gjykues, mirëpo asnjëri nga ta nuk dinte asgjë në lidhje me rastin, pasi që asnjëri nga ta nuk kishte qenë prezentë ditën kritike.
Dëshmitarët ishin familjarë si nga pala e akuzuar, e po ashtu edhe nga pala e dëmtuar, të gjithë dëshmitarët përmendën faktin se i gjithë problemi kishte lindur për shkak të dyshimit për vjedhjen e parave nga shtëpia e të akuzuarve.
Për seancën e radhës, gjykata do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë. /Telegrafi/