Uji Dea

E vetmja rrugë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Tanimë që po i afrohemi ditës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të datës 8 qershor, qytetarët e Republikës së Kosovës po përballen gjithnjë e më shumë me informata lidhur me orientimet programore të partive politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në Kosovë, dhe fituese e vetme e zgjedhjeve lokale, është parti e qendrës së djathtë (anëtare e PPE-së – Partive Popullore Evropiane) e cila si synim kryesor ka që të ndërtojë një lidership të fortë të vendit, i cili do të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar në vitalitetin e Kosovës si shtet i pavarur, të ofrojë politika që rrisin cilësinë e jetës, të respektojë të drejtat e secilit, të ofrojë mundësi të barabartë për të gjithë qytetarët në arsim, shëndetësi, në jetën sociale dhe në shërbimet publike në përgjithësi. Orientimet programore të LDK-së mbështeten në vlerat demokratike, si respekti për traditën, liria, drejtësia dhe toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria e të shprehurit dhe liritë individuale dhe kolektive, që paraqesin fundamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës.

Ky program bazohet në katër shtylla kryesore qeverisëse:

1) Zhvillimi ekonomik dhe punësimi
2) Arsim dhe shëndetësi cilësore
3) Qeverisja efektive përmes ndërtimit të shtetit ligjor dhe mostolerimit të korrupsionit; dhe
4) Integrimi në BE dhe struktura euroatlantike.

ARKATANA

Përderisa ky program thekson në veçanti katër fushat kryesore qeverisëse, ai nuk lë anash as fushat tjera të rëndësishme si mërgata dhe diaspora; kultura, rinia dhe sporti; zhvillimi rinor etj. Pjesë qendrore e këtij programi i kushtohet zhvillimit ekonomik dhe qeverisjes efektive dhe atë për shumë arsye. Ndër arsyet kryesore është keqqeverisja e viteve të fundit e cila bëri që Kosova të mbetet vendi me papunësi dhe varfëri më të lartë në rajon dhe më gjerë, vend me korrupsion shumë të lartë, i izoluar me lëvizje shumë të kufizuara të qytetarëve, bizneseve, nxënësve e studentëve në vendet e tjera. Nuk ka dyshim se kjo qeverisje është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Programi qeverisës i LDK-së në anën tjetër është program i implementueshëm i cili i përgjigjet drejtpërsëdrejti kërkesave dhe interesave të qytetarëve.

Prandaj zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti janë shans për Kosovën që të ndërtojë institucione që dalin nga vullneti i qytetarëve, që të largohet një qeverisje e keqe që ka abuzuar dhe qeverisur me shumë afera. Këto zgjedhje janë shans i mirë për ta ndalë erozionin që e ka kapluar vendin, brenda dhe jashtë, dhe për ta rikthyer besimin e qytetarëve dhe të miqve ndërkombëtarë në aftësinë dhe përkushtimin tonë për ndërtimin e një shteti sipas standardeve evropiane. Për më shumë, këto zgjedhje paraqesin një shans për kthesë historike, një kthesë e cila do ta vërë qytetarin dhe interesat e tij para atyre klanore dhe oligarkike dhe e cila do të ofrojë një qeverisje efektive e cila i jep prioritet zhvillimit ekonomik dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pavarësisht panikut të cilin e ka kapluar PDK-në, e cila nuk kursen të hyjë në koalicion parazgjedhor as me parti politike ideologjikisht të kundërta, po bëhet gjithnjë e më e sigurt se LDK si partia e vetme në Kosovë, e cila mund t’i fitojë zgjedhjet, do të dalë fituese bindëse e këtyre zgjedhjeve dhe do ta ndërrojë kursin e qeverisjes në Kosovë. LDK është e vetmja që mund ta ndalojë keqqeverisjen dhe ta rrëzojë PDK-në nga pushteti. LDK është e vetmja rrugë.

(Autorja është Anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)