KKGjilan

E refuzoi takimin trilateral pasi shkoi në Bruksel, Stano: Ishte rregull në të kaluarën, për fat të keq Kurti s’ishte gati

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Para se të përfundonte mandatin e tij në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian, spanjolli Josep Borrell, synoi të ulte në tavolinën e negociatave pas një kohe të gjatë dy liderët ballkanikë, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në plan kishte që të analizonin atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e tij, si dhe të fokusoheshin në rrugën përpara. BE bëri njoftimin me konfirmimet e të dy udhëheqësve, duke paralajmëruar për, fillimisht, takime të ndara e në fund një trepalësh. Ky i fundit dështoi. Borrell dhe Vuçiq ia lanë përgjegjësinë Kurtit. Por, pse Kurti s’e lajmëroi me kohë mospjesëmarrjen në takimin trilateral?

Alma Baxhaku

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje per Gazetën Express tha se kishin llogaritur në kryeministrin Kurti meqë kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këto takime.

“Siç e kemi paralajmëruar të hënën (dhe siç ka qenë rregulla në të kaluarën), kemi llogaritur në një takim trepalësh, për fat të keq kryeministri Kurti nuk ishte gati për të”, tha Stano.

Sidoqoftë, një ditë para se të udhëtonte për Bruksel, kryeministri Albin Kurti në një prononcim jo fort të gjatë para gazetarëve në Prishtinë, bëri me dije se e kishte ndërmend të merrte pjesë në të dy formatet e takimeve të caktuara nga BE.

“Nesër do të udhëtoj për Bruksel. E kam konfirmuar pjesëmarrjen time”, tha Kurti.

“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”.

Megjithatë, ditën e nesërme Kurti nuk e kishte të njëjtin mendim.

Ai vendosi tri kërkesa, apo siç i quajti Borrell, kushte për të cilat tha se janë baza e rikthimit të një dialogu në mirëbesim dhe se me to do të mbrohej edhe marrëveshja “që është në sulm nga Serbia”.

Vuçiq refuzoi kushtet e Kurtit dhe doli i pari para gazetarëve të tregojë se ka dështuar takimi trilateral, duke akuzuar kryeministrin Kurti për mospasje të “guximit”.

“Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë”.

KKVITI

Kur doli në konferencë Borrell bëri edhe një rikapitullim të rundeve të takimeve që ai kishte mbajtur me Kurtin e Vuçiq, duke u ankuar në fund që s’kishte takim trepalësh.

“Sapo përfunduam një takim të nivelit të lartë me Presidentin Vuçiq dhe Kurti, me të dy ata. Ishte takimi i njëmbëdhjetë mes dy liderëve [dhe meje] që unë kryesova. Ose [për të qenë më të saktë] me dy liderët [të cilët] unë kryesova – jo mes tyre, por me ta. Sepse kësaj radhe nuk ka pasur një takim trepalësh”, tha Borrell, derisa citoi saktë kushtet e Kurtit.

“Citoj: Së pari, zyrtarizimi i Marrëveshjes Bazë nëpërmjet nënshkrimit nga krerët përkatës të shteteve dhe qeverive. Kjo është një kërkesë e vjetër. Së dyti, tërheqja e letrës së rezervës të depozituar zyrtarisht në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm [Europian] nga ish-kryeministrja e Serbisë, [Ana] Brnabiq, e datës 13 dhjetor 2023. Ne ende po flasim për gjërat që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë. Dhe së treti, dorëzimi i Milan Radojçiqit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist autoriteteve gjyqësore të Kosovës”, njoftoi Borrell për kushtet e Kurtit.

Për këtë citim të saktë, Kurti e falndëroi më pas Borrellin. Ai refuzoi edhe t’u thoshte kushte këtyre tri pikave të tij.

“Pra, le të diskutohet për sekuencimin në vijim, mirëpo për zbatim nevojitet respektimi, nevojitet mbrojtja e Marrëveshjes Bazike që unë jam i sigurt realizohet pikërisht me ato çfarë kemi thënë sot dhe për çfarë e falënderoj edhe z. Josep Borell, i cili në mënyrë shumë adekuate i renditi ato çfarë i kemi thënë ne, në mënyrë të qartë i citoi, veçse ne nuk do t’i kishim quajtur kushte, por garanci për vullnet të mirë dhe mirëbesim”.

Kurti edhe sot në mbledhjen e Qeverisë njoftoi kabinetin e tij se ishte Vuçiq ai që kishte refuzuar kërkesat e tij që përbënin “garanci” për marrëveshjen.

“Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.

Nuk dihet nëse Kurti dhe Vuçiq do të vihen edhe njëherë përballë njëri-tjetrit nën ndërmjetësimin e Borrell, por kryediplomati në largim u kujdes që para takimeve t’ua bënte të qartë palëve se pavarësisht emrit që do të zë vendin e tij, pozicioni i BE-së nuk do të ndryshojë dhe as Marrëveshja Bazike.

Stano nuk u përgjigj në këtë pyetje të gazetës për shanset e një takimi tjetër, por tha se do të ndodhë ai i kryenegociatorëve.

“Sa i përket planifikimit të ardhshëm, e vetmja gjë që mund të konfirmojmë është ajo që tha Përfaqësuesi i Lartë të mërkurën, se do të ketë takime të kryenegociatorëve javën e ardhshme në Bruksel”.