Fundamenti

E kishin kushëri Enver Hoxhën, por i internoi 30 vjet

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Tiranë – Edhe sot, që është më e moshuara ndër tri motra, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër të të gjitha lëvizjeve në shtëpi. Sado që i ka kaluar 85 vjet jete, ajo ka mbetur më e shkathëta.

Është ajo që ngrihet e para nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasje, nëse duhet gjetur ndonjë foto të vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit në Liceun Artistik. Më e vogla, Nermini, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja. Ende sot që është në prag të të 80-ave, vazhdon të ketë dy nxënës, të cilëve ua mëson anglishten.

Të tria motrat, dikur, aq vite larg sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe fare pranë Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja me mësues privat, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga katër vilat e vetme në plazhin e Durrësit, derisa gjithçka u ndërpre me thikë.

Çifligjet e trashëguara nga i gjyshi e patën kohën e artë për shumë pak kohë. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të afërmet e ish-diktatorit. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, prejardhjen e përbashkët, e me hyrje-dalje familjare, prej tij morën pajën e vetme që të tria patën në jetë, 30 vjet e 6 muaj internim.

Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vjetësh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai e kishte ndërtuar. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, pranojnë të flasin për gazetën Panorama, duke thënë vazhdimisht që “kemi nevojë për qetësi, nuk duam intervista”.

Hidromorava

Ishte fundi i vitit ’59, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjës.

Në pyetjen se nga ju erdhi persekutimi, ato treguan që historia në fakt nis nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte babai.

Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babanë tonë në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë.

Mandej, babai u zhvendos në Korçë, ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.