E keqja më e vogël

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj- Vazhdimi i austostradës nga Merdari në Nish është e keqja më e vogël që mund t’i ndodh Kosovës në raport me Serbinë.

Hashim Thaçi e Ivica Dacic sipas të gjitha gjasave kanë qenë esëll kur janë pajtuar për krijimin e një ekipi punes të përbashkët, teknik, “për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë”, siç tha Baronesha Catherine Ashton, pas takimit me ata të dy në Bruksel.

Ata mund ta kenë luftuar njëri-tjetrin para më shumë se një dekade, por tash po duan të komunikojnë jo vetëm në darka pune, por edhe përmes autostradës.

Ata që e dëgjuan dhe lexuan deklaratën e Baroneshës mund ta kenë pyetur veten pse ajo përmendi termin “autostrada Nish-Prishtinë”, e jo “autostrada Nish-Merdar”, siç do të duhej të ishte në mënyrë korrekte.

Autostradën e nisur në Morinë, Qeveria e Kosovës ka planifikuar ta përfundojë në Merdar dhe do të duhej të ishte punë për Serbinë nëse dëshiron të lidh autostradën e vet me këtë tonën, për të vazhduar pastaj nga Morina në Durrës. Por në këtë rast, për Bashkimin Europian është e rëndësishme që të përmenden Nishi e Prishtina, e jo Nishi e Merdari.

Më e rëndësishme sesa terminologjia e përdorur, në këtë rast është ideja e vazhdimit të autostradës kosovare deri në Nish, respektivisht lidhja me vendet e Europës Qendrore e Perëndimore.

Nëse flitet pa ngarkesa emocionale dhe folklorike, atëherë duhet pranuar se autostrada Durrës-Merdar do të bëhet e vlefshme ekonomikisht vetëm po që se vazhdon tutje, drejt Europës. Në këtë mënyrë, nga rëndësia lokale ajo merr rëndësinë regjionale dhe më gjerë.

Marrë parasysh potencialin aktual ekonomik të Kosovës, tash për tash autostrada do t’i shërbejë më shumë Serbisë, por kjo nuk do që të thotë se gjatë viteve të ardhshme, pra në shtigje më të gjata, do të përfitojnë Kosova dhe Shqipëria.

Nga çfarëdo autostrade, kudo që ndërtohet, nuk mund të priten përfitime të njëanshme. Nga ajo përfitojnë popuj dhe shtete të ndryshme, si dhe ekonomi vendesh të ndryshme. Nuk ka si të jetë ndryshe as me autostradën që lidh Kosovën dhe Serbinë. Vazhdimi i autostradës nga Merdari në Nish është e keqja më e vogël që mund t’iu ndodhë Kosovës dhe shqiptarëve në raport me Serbinë.

Ata që pretendojnë se me ndërtimin e autostradës mallrat serbe do të lëvizin më lirshëm ndaj Kosovës, kanë të drejtë. Por, e vërteta është se edhe tash, pa autostradë, ato po mbushin çdo ditë tregjet tona. Kjo nuk do që të thotë se nesër nuk do të shtohet sasia e mallrave kosovare që shkojnë drejt Serbisë.

Ndërkohë, në mos për asgjë tjetër, autostrada do t’iu shërbejë për të mirë qindra-mijëra kosovarëve që jetojnë e punojnë nëpër Europë, duke iu kursyer kohë dhe para.

Uji Dea

Natyrisht, në mesin e tyre ka edhe nga ata që duan ta shfrytëzojnë Shqipërinë për t’iu qasur Europës, por logjika e shëndoshë thotë se do të duhej shfrytëzuar rruga më e shkurtër dhe më e leverdishme.

Hashim Thaçi mund të ketë pirë verë të kuqe gjatë darkës në Bruksel, por duhet të jetë esëll kur pas pajtimit për autostradën, në tavolinën e bisedimeve mund t’i kërkohet të pajtohet për të tjera çështje, ndër të cilat mund të qëllojnë aso çfarë nuk do t’i dëshironte t’i diskutojë asnjëherë.

Fort më i vështirë se “problemi” i autostradës është problemi i Veriut, janë institucionet serbe që funksionojnë atje dhe janë strukturat kriminale që e kanë kapur atë pjesë.

Në vend që të kërkohet transparenca e financimit të institucioneve serbe në Veri, duhet insistuar në zhbërje të atyre institucioneve

Vera e kuqe duhet t’ia kthjellojë, e jo turbullojë mendjen Thaçit kur vjen puna te kompromisi i institucioneve të Prishtinës për Veriun.

Është absurde që kah Nishi të ndërtohet autostradë, kurse Veriu të mbetet i barrikaduar, i bllokuar dhe qytetarët nga pjesa tjetër e vendit të mos kenë qasje normale atje.

Të pagjeturit, dëmet e luftës, fondi pensional, kursimet… janë vetëm disa nga çështjet e rëndësishme për të cilat Thaçi e Dacic duhet të kuvendojnë. Dhe për të cilat Beogradi duhet të jep përgjegjësi.

Por, natyrisht, duke mos harruar të kaluarën e rëndë e të tmerrshme, njerëzit kanë nevojë të komunikojnë, të udhëtojnë, të jetojnë.

Kosova nuk është oazë dhe nuk mund të funksionojë e izoluar, madje as në raport me Serbinë. Në këtë mënyrë, autostrada mund të ndihmojë edhe në relaksimin e marrëdhënieve të tendosura ndërmjet dy vendeve.

Askush nuk ka nevojë të dehet nga ideja e ndërtimit të autostradës. Ashtu siç askush nuk ka nevojë të dehet nga ideja e mbylljes, izolimit karshi Serbisë.

Nuk ka nevojë të dehet as Thaçi me verë të kuqe. Sa për Dacicin, ata që e njohin mirë thonë se zakonisht është qejfli i rakisë. Thaçi do të thoshte se ai është i dehur me shlivovicën e humbjes së luftës. Të shohim kush do ta fitojë betejën e dialogut.