E gjithë bota përkujton 11 shtatorin 2001, këtë e bën edhe Kosova

Në 15 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ish-lokacioni i “World Trade Center” në Nju Jork është transformuar në një vend përkujtimor. Por, ekzistojnë edhe disa memorialë të tjerë, më pak të njohur, që përkujtojnë rreth 3,000 njerëzit që humbën jetën si pasojë e sulmeve.
Mbretëria e Bashkuar, Izraeli dhe Italia; të gjitha kanë vendosur memorialët e tyre, ndërsa Rusia i ka dhuruar SHBA-ve një punim artistik përkujtimor.
Një skulpturë e flamurit amerikan qëndron në memorialin për 11 shtatorin në Motza, Izrael, në perëndim të Jerusalemit. Emrat e viktimave, përfshirë edhe pesë qytetarë izraelitë, janë të shkruar në pllakën përkujtimore të memorialit.
Në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtator të vitit 2011 në ShBA, sot në Prishtinë do të organizohen një sërë aktivitetesh, që përfundojnë me një ekspozitë me fotografi nga ngjarja që ndodhi 15 vite më parë në SHBA.
Për ta shënuar këtë ditë, fillimisht Garda e nderit e Policisë së Kosovës në sheshin Bill Clinton do ta ulë flamurit amerikanë në gjysëmshtizë, pastaj zjarrfikësit do të parakalojnë në sheshet e Prishtinës me sinjalizime të ndezura.
Kurse, në orën 12:00, do të mbahet akademi përkujtimore në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku pas interpretimit të himneve të Kosovës dhe ShBA-ve, një fjalë rasti do ta mbajë kryeparlamentari Kadri Veseli, nën patronatin e të cilit do të mbahet kjo akademi.
Po ashtu, pritet të flas edhe Agim Rexhepi nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”.
Aktivitetet përmbyllen me një ekspozitë me fotografi nga ngjarja e 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe aktivitete të shoqatës “Miqtë e Amerikës”, për këtë datë./express/