Uji Dea

E do veç Zvicrën

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Arlind Ajeti po synon të bëhet shqiptari i radhës në përfaqësuesen e Zvicrës, pas Valon Behramit, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Blerim Xhemajlit, Admir Mehmedit e Pajtim Kasamit.

Qendërmbrojtësi kosovar, i cili është pjesë e Baselit dhe ekipit U-21 të Zvicrës, dëshiron që t’i bashkohet vetëm ekipit ‘Helvetikë’, dhe nuk e imagjinon duke luajtur për një shtet tjetër.

“Unë nuk po mendoj shumë për këtë punë, por unë jam lindur dhe rritur në Zvicër. Jam mjaft i lumtur në ekipin kombëtar zviceran dhe është vështirë i imagjinueshëm një ndryshim. Nëse nuk do të kisha mundësi të kaloj në ekipin A të Zvicrës, gjithçka do të mund të ishte ndryshe”, ka deklaruar Ajeti për uebfaqen sport.ch.

Fundamenti

Ajeti po kalon momente të mira te Baseli, ku po luan rregullisht. Ai shpreson që të vazhdojë të luajë në vazhdimësi te ekipi zviceran.

“Jam mjaft i lumtur që e kam fituar besimin e trajnerit. Po luaj rregullisht dhe natyrisht shpresoj që situata të mbetet e njëjtë”, theksoi Ajeti.

Baseli është duke luftuar në tre fronte këtë sezon. Përveç kampionatit dhe Kupës, skuadrës zvicerane po i shkojnë mirë punët edhe në Ligën e Kampionëve.