E dështojnë reformën, që të plaçikitin votat
Drejt zgjedhjeve të reja me ligjin e vjetër. Pozitë e opozitë, të painteresuara për ndryshimet ligjore
Politikanët po tallen me qytetarët, duke lënë pas dore reformën zgjedhore në mënyrë të qëllimshme. Shkuarja në zgjedhje të reja me legjislacionin e vjetër është edhe një mundësi abuzimi me votën lirë për të ardhur në pushtet
Përveç subjekteve politike në opozitë, që janë këmbëngulëse në kërkesën për dërgimin e shpejtë të vendit në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme, zëra të tillë individualë kanë filluar të dëgjohen edhe në subjektet politike të pozitës, veçmas në PDK.
Derisa tema e zgjedhjeve vjen e bëhet gjithnjë më aktuale dhe e mundshme, një temë tjetër, që vazhdon të jetë e mbyllur dhe e padëshiruar, si për pozitën edhe për opozitën, mbetet tema e reformës zgjedhore.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët e kësaj fushe po e shohin këtë heshtje të partive politike, si në pozitë dhe në opozitë, si një anashkalim të qëllimshëm, vetëm që ta shfrytëzojnë edhe një rast të ri të procesit zgjedhor me legjislacion të vjetër, e që falë mangësive ekzistuese, lë hapësirë të madhe edhe për një abuzim të radhës me votën qytetare dhe sigurimin më të lehtë të ruajtjes së jetëgjatësisë në politikë dhe pushtet, qoftë për pozitën, qoftë edhe për disa individë në opozitë. Ata thonë se për t’i ruajtura interesat e tyre të oligarkisë klanore, politikanët e papërgjegjshëm po tallen me qytetarë, duke gjetur arsye pa bazë edhe kur është fjala për zvarritjen apo mostregimin e gatishmërisë për reformimin e sistemit zgjedhor, që është shtylla kryesore e ndërtimit të institucioneve kredibile dhe demokratike. “Zgjedhjet me një legjislacion të vjetër do të ishin goditja më e madhe për shoqërinë, që edhe ashtu e ka humbur skajshmërisht besimin në këto institucione të korruptuara”, tha magjistri i shkencave politike Ali Hertica për “Kosova Sot”


