UBT

E ardhmja e PDK-së sipas Qemajl Mustafës

/ 11 minuta lexim
United Hospital

Gjilan – Qemajl Mustafa ish kryetar i komunës dhe ish kryetar i degës së PDK-së në Gjilan në një intervistë për rajonipress flet për zhvillimet aktuale në degën e PDK-së në Gjilan, për katandisjen e saj siç e quan ai, për trendin negativ që pati dega e Gjilanit, për grupet e interesit brenda PDK-së, për të ardhmen e saj dhe për shumë zhvillime tjera aktuale për të cilat Qemajl Mustafa jep përgjigje koncize për siç thotë ai për ta quar përpara PDK e Gjilanit.

Rajonipress: Cila është sipas jush dega e PDK-së sot në Gjilan?

Qemajl Mustafa: Së pari dua t’ju them që dega e PDK në Gjilan deri para ndonjë viti ishte njëra nga degët më të mira në Kosovë. Ne mesatarisht i dërguam qendrës jo më pak se rreth 11000 vota në secilin proces zgjedhor. Morëm pak shpërblim për kontributin e madh që i dhamë PDK-së.

Gjendja e degës së PDK-së në Gjilan sot është e rëndë, por jo aq sa duket, ajo është dukshëm më e rëndë. Dega nuk e ka patur vullnetin për ta analizuar gjendjen pas zgjedhjeve lokale 2013 dhe nacionale 2014 në të cilat PDK ka pësuar fiasko. Në mungesë të një analize të tillë dhe të rekomandimeve që do të dilnin nga kjo analizë, në degë është krijuar mjegullnajë e dendur përbrenda së cilës anëtarët e kryesisë nuk e shohin njëri tjetrin e anëtarësia e gjerë plotësisht e pafajshme dhe e përkushtuar nuk i sheh në veprim organet e degës – këshillin e degës, kryesinë dhe kryetarin e saj.

Sot, degën në Gjilan e dominon amullia, apatia, ndasia e thellë, mosbesimi rrëqethës, monafikia e gojëdhënat konspirative,… Degën e dominon mungesa e interesimit të shumicës së kryesisë për ta rikthyer atë në binarë sadopak normal dhe kjo kryesi me muaj të tërë nuk mund të takohet për të bërë përpjekjen minimale për këndellje.

Si pasojë, degës i mungojnë trupat profesionalë, i mungon autoriteti i kryetarit, i kryesisë dhe i këshillit. I mungon programi i punës. I mungon koordinimi i cili më së miri shihet te tentativat e dështuara për ta konsoliduar gruan demokratike dhe te sjellja shpesh kaotike e grupit të këshilltarëve në KK. Kemi patur raste kur brenda grupit prej shtatë këshilltarëve votimi është ndarë në PRO (ose abstenim) dhe KUNDËR anipse interesi i degës si opozitë dhe i qytetarëve ka qenë që të gjithë të votonin njësoj. I gjithë aktiviteti i grupit është reduktuar në një ose dy zëra opozitarë e prononcimet në media ndonjëherë janë hutuese dhe kundërthënëse. Ka koketime në prapaskenë me eksponentë të subjektit në qeverisje për interesa të vogla të individëve ashtu sikur ka koketime e vardisje
turpëruese për (siç thuhet) ribërjen e një koalicioni qeverisës në mes të LDK dhe PDK në nivelin lokal?!.

Rajonipress: Pse po ndodhë krejtë kjo me degën e PDK në Gjilan?

Qemajl Mustafa: Unë mendoj se kjo është pasojë e mungesës së një kryetari të fuqishëm të degës, të një kryetari punëtor e me vizion. Mungesa e trajtimit dhe e konsideratës meritore nga qendra për komunën dhe për degën në Gjilan për kohë të gjatë poashtu ka ndikuar shumë. Për shumë vite dega i është lënë papërgjegjësisë dhe stihisë.

Degën për shumë vite e udhëhoqi njeriu i cili nuk e merr guximin asnjëherë të kandidohet hapur para publikut të komunës. I kamufluar me meritën e të tjerëve, përherë okupon pa të drejtë dhe pa meritë pozicione shtetërore e komunale dhe kështu i mbijeton situatat dhe periudhat.

I njëjti grup që e përfaqësonte degën në qendër në vitin 1999 vazhdon ta përfaqësojë atë edhe sot e kësaj dite dhe merr vendime pa vullnetin e degës për vet degën dhe për zgjatimet e qeverisë në komunë (KEDS, PTK, ATK, Spitali Regjional, Universiteti, …). Qe 15 vite në kryesinë në qendër nuk ka mundur të hyjë një figurë e re nga dega e Gjilanit. Partia ende zotërohet dhe udhëhiqet vetëm nga meritokracia e luftës, e ilegales dhe e burgut.

Në komunë nuk kishte thuaja fare investime kapitale nga qendra në tri vitet e fundit të qeverisjes tonë. Dega nuk kishte përfaqësim meritor as në kryesi në qendër, por as në qeveri e agjensione të shtetit. Edhe ne, në qeverisjen gjashtëvjeçare e cila ishte e gjatë, por plotësisht e përkushtuar, sigurisht që ishim “harxhuar” në një masë sepse aty këtu patjetër kishim bërë ndonjë lëshim ose ishim bërë të “padëshiruar” nga ata që ishin mësuar të merrnin favore të ndryshme nga komuna për vite të tëra dhe këtë ne ua kishim ndaluar.

Zgjedhjet e fundit në parti u përcollën me plotë parregullsi dhe imponime dhe kështu ia vunë “kapakun” këtij trendi negativ duke e futur degën të dërmuar në zgjedhjet lokale dhe qendrore.

Rajonipress: Në këtë gjendje që ju e konstatoni, pse i hytë garës për kryetar pra?

Qemajl Mustafa: Kishim projekte të mira për t’i vazhduar dhe për t’i nisur për komunën. Ambicia që të vazhdojmë me punë dhe konsolidimin e mëtejmë të komunës ishte arsyea dominante që i hyra garës anipse terrenin e kisha bukur “të minuar”.

E vërteta e kulluar është se unë isha koshient për pozicionin tim. Së paku dy vite para se të mbyllej mandati i dytë i kisha shenjat e qarta se unë nuk isha më i preferuari i qendrës. Pikërisht në një intervistë te ju në rajonipress atëherë pata thënë që “kjo nuk është PDK-ja për të cilën unë jam angazhuar” sepse ajo tashmë kishte ikur nga agjenda programore e saj. Unë fola hapur dhe në të mirën e saj në kohën e duhur. Nuk më dëgjoi qendra me kujdes dhe me dashamirësi, por ndodhi e kundërta. Qarqet diletante dhe servile përreth kryetarit të partisë (kryeministrit) më kualifikuan si “plangëprishës”.

Ata që më njohën mirë dhe që ishin pranë meje e dijnë që unë nuk kisha pikën e motivit që të jem pjesë e procesit zgjedhor në PDK sepse e dija që ishte punë koti. Kështu edhe doli. Ata që lobuan për mua më siguruan maksimumin e votave nga kuvendi i degës dhe më vendosën në majë të listës, por askush dhe kurrë nuk e bëri muhabetin e zgjedhjes time për kryetar të degës. Skenari tashmë ishte i miratuar në Prishtinë. Zenun Pajaziti duhej të bëhej kryetar me imponim dhe pa alternativë. Siç dihet ndodhën turbulenca para procesit zgjedhor dhe dega ishte në gjendje kolapsi.

Uji Dea

Rezultati për zgjedhjet lokale gati se është ditur paraprakisht por, dua të jem plotësisht realist dhe i sinqertë, distancimi dhe mosnjohja e gjendjes në tregun politik të komunës, sondazhet (që dolën të mos kishin qenë profesionale ose ishin të kurdisura) e thonin që kandidati i PDK për kryetar dukshëm printe para kandidatit rival të LDK. Kësaj i kontribuoi edhe kokëfortësia ime që të mos bëhej kandidat për kryetar ai që me asgjë nuk e meritonte dhe kështu u bëra thuaja me dijen time kandidati kurban.

Humbja në nivelin lokal dhe mungesa totale e financave dhe e përkrahjes nga qendra pastaj më bënë humbës edhe për kuvendin e Kosovës. U luajtën lojëra me mua. Njëherë më vendosën te numri 46 në listë e pastaj e ndërruan dhe më zhvendosën te numri 59. Megjithatë dola mirë. Me fare pak punë, pa financa e pa përkrahje të duhur mora 4600 vota në Gjilan dhe gjithsej 7300 vota në Kosovë. Dyshoj shumë që në zgjedhjet qendrore kishte abuzime me votat e kandidatëve brenda partisë.

Rajonipress: Çka më tej, si mendoni se mund të rregullohet dega në Gjilan?

Qemajl Mustafa: Rregullimi i degës në Gjilan është proces më i gjatë, më kompleks dhe nuk mund të shihet si i izoluar nga tërësia. Gjendja në degën e Gjilanit dhe në shumë degë të tjera në vend është pasojë e prishjes së partisë në qendër. Prishja është e asaj përmase që me “arnime” nuk mund t’i dilet në skaj.

Aferat policore e mediale që nga viti 2010 rreth ministrit të atëhershëm të transportit z. Limaj, polarizimet që pasuan në parti deri te dalja e tij dhe e sekretarit të përgjithshëm z. Krasniqi nga partia, përceptimi për korrupsionin, aty këtu ndonjë skandal, pabarazia në investime nëpër regjione e komuna, gjendja e rëndë ekonomike e kosovarëve etj ia prishën në masë të madhe imazhin PDK-së dhe lidrshipit të saj para publikut.

Qasja klienteliste në zgjedhjet brenda partisë por edhe në zgjedhjet nacionale janë komponentë shtesë që e ka dobësuar edhe më tej partinë.

PDK në nivel vendi e me këtë edhe dega në Gjilan kthehen në agjendë normale dhe e vazhdojnë punën për të mbetur partia e parë në vend vetëm nëse organizohen zgjedhje të reja të përgjithshme, të hapura, të drejta e demokratike në parti. PDK-së i duhet reformim i thellë dhe i gjerë.

Këto zgjedhje me siguri nuk do të mbahen përderisa PDK është pjesë e pushtetit sepse konjuktura pushtetore e partisë nuk e ka interesimin që ta bëjë një gjë të tillë për shumë arsye.

Shumëçka rreth procesit reformues në parti është e lidhur me trended në skenën politike të Kosovës. Themelimi i gjykatës së veçantë, akuzat eventuale ndaj ndonjërit nga funksionerët e saj, trandja e mundshme e koalicionit qeverisës PDK-LDK, protestat e grevat e shumta, zgjedhja e presidentit vitin e ardhshëm,…

Sidoqoftë, po e përfundoj me konstatimin se PDK ka dalur që moti nga shtegu i saj normal i funksionimit. Në parti nuk ka vlerësim të saktë të punës dhe si pasojë nuk ka shpërblim meritor për punën që e bëjmë. Disa nga ata që kanë dhënë shumë me vite të tëra janë margjinalizuar deri në linqim e disa që fare pak kanë kontribuar janë bërë të ledhatuarit e partisë dhe janë avancuar e paguhen mirë. Si mund të shpjegohet mungesa totale e komunikimit me neve kryetarët humbës të komunave për hiq më pak se 16 muaj të tërë? Si mund të shpjegohet mbetja pa punë e shumë drejtorëve në nivelin lokal derisa ata ishin të vyeshëm dhe të dobishëm për partinë për shumë vite?

Pavarësisht kualitetit të qeverisjes me LDK-në në qendër dhe pavarësisht zhvillimeve të tjera (sepse Kosova është në tranzicion dhe të panjohura e të papritura do të ketë rrugës edhe për disa vite) partia do të duhej t’i hynte reformës së mirëfilltë për të mirën e saj dhe të vendit.

Nëse kjo gjendje letargjike vazhdon për kohë më të gjatë atëherë është droja se partia do të tkurret dhe pasivizohet deri në atë masë sa vështirë mund të zgjohet më nga gjumi. Edhe kjo është njëra nga rrugët e mundshme, por më së paku e dëshirueshme nga anëtarësia e saj e gjerë dhe nga ata që sinqerisht e për shumë vite punuan për të.

Rajonipress: A mendon të kandidosh për kryetar të degës në një proces normal zgjedhor?

Qemajl Mustafa: Vetëm nëse procesi është plotësisht normal dhe nëse e marr përkrahjen e bazës. Një marrëveshje e shkruar e me përgjegjësi reciproke të precizuara me kryetarin në qendër është e domosdoshme. Assesi ndryshe.

Rajonipress: Çka ndodhë nëse nuk ka proces zgjedhor në degë, si do ta riparoni këtë gjendje? A do të vazhdoni me koordinator të degës?

Qemajl Mustafa: Nuk dij se si do të quhet, koordinator ose ndryshe, por unë mendoj që degën duhet ta udhëheqin deri në një fitore të ardhshme ose edhe deri në katandisje totale deputetët e degës dhe “grupi i Prishtinës” sepse ata po i shohin hajr partisë.
Le të marrin ata përgjegjësi. Koordinatori i tashëm duhet të tërhiqet sa më shpejtë që kjo të jetë e mundur është shprehur Mustafa në intervistën dhënë rajonipress.

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.